Thaçi: Marrëdhëniet e vështira me Vuçiq, të dy e dimë nga jemi - Bota Sot
Thaçi: Marrëdhëniet e vështira me Vuçiq, të dy e dimë nga jemi

Aktuale

Thaçi: Marrëdhëniet e vështira me Vuçiq, të dy e dimë nga jemi

Më: 25 mars 2019 Në ora: 19:02
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se marrëdhënia e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq është e vështirë.

Ai theksoi se është e nevojshme të mbahen të gjitha kanalet e komunikimit të hapura.”Dialogu është ai që pengon shumë gjëra të shëmtuara që mund të kenë ndodhur mes dy vendeve tona. Nuk ndjej ndonjë kënaqësi në këtë kontakt. Të dy e dimë nga jemi, por nuk është pengesë të punojmë paqësisht”, tha ai. I pyetur nëse ka biseduar me Vuçiq edhe për ngjarjet 20 vjet më parë, presidenti Thaçi u përgjigj: “Ai humbi, unë fitova, por nuk dua ta ngarkoj diskutimin me të kaluarën”. Ai në një intervistë për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, mohoi pohimet lidhur me një marrëveshje të mundshme me Beogradin në qershor në Uashington. “Këto nuk janë të vërteta, por unë do të bëj çmos për të nënshkruar një marrëveshje të tillë në Shtëpinë e Bardhë”, tha Thaçi. Ai thotë se BE-ja nuk ka qenë kurrë në gjendje t’i rregullojë gjërat vetë dhe sot është edhe më pak e aftë për një gjë të tillë.

I pyetur nëse i kanë të gjitha shpresat vetëm në SHBA, presidenti Thaçi tha se SHBA ka rëndësi në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ai theksoi se marrëveshja nuk ka alternativë dhe se është e mundur që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë paqe siç kanë bërë dikur Gjermania dhe Franca.

I pyetur nëse ai kishte mbështetje në Kosovë për kompromis me Beogradin, presidenti Thaçi tha se më shumë se 70 për qind e popullatës mbështet dialogun. Ai tha se po përpiqej të arrinte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila përfundimisht do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura midis Beogradit dhe Prishtinës, duke shtuar se aktualisht nuk ka asnjë dokument mbi ndryshimin e kufijve apo hartave.

Sipas tij, çështja e ndryshimit të kufirit si një zgjidhje është një temë që është e ekzagjeruar në media. Përndryshe, Thaçi tha në intervistën për Süddeutsche Zeitung, se më 24 mars 1999 ishte në male, “në kufirin e Shqipërisë dhe Kosovës”, dhe se ai ishte njoftuar nga NATO se bombardimi do të fillonte atë ditë. Sa i përket akuzave për kinse krime lufte, Thaçi vuri në dukje se këto pretendime monstruoze u ndërtuan në Serbi dhe se është gati, nëse ftohet, të deklarohet në lidhje me këtë në Hagë, pasi është e rëndësishme që e vërteta të dalë në dritë. Ai shtoi se tejkalimi i së kaluarës është i rëndësishëm dhe se është i bindur se tani është momenti i duhur për paqe.

“Për herë të parë në Serbi ne kemi një partner, i cili është i gatshëm të ulet dhe të flasë për të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës. Pas shumë vitesh neglizhimi, tani kemi shumë vëmendje nga BE dhe SHBA. Nëse e lëshojmë këtë, paraqitet rreziku që të humbim dekada”, ka thënë presidenti Thaçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...