35 vjeçarja vdes pas operacionit, mjekët dhe familjarët në telashe mes vete - Bota Sot
35 vjeçarja vdes pas operacionit, mjekët dhe familjarët në telashe mes vete

Aktuale

35 vjeçarja vdes pas operacionit, mjekët dhe familjarët në telashe mes vete

Më: 28 mars 2019 Në ora: 17:59
E ndjera, Dëshira Lulashi

Javën e kaluar  në rrethana ende të pasqaruara ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive të QKUK’së, 35-vjecarja Dëshira Lleshdedaj, nënë e dy fëmijëve.  Ajo fillimisht ishte trajtuar dhe operuar në spitalin rajonal të Gjakovës për t’u transferuar për në QKUK. Familja e së ndjerës tani po i akuzon mjekët e Gjakovës për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor. Ndërkohë mjekët thonë se pacientja në fjalë vdiq nga Gripi i Derrit. Për gjithë këtë çështje, prokuroria tashmë i ka nisur hetime

Dyert e shtëpisë tre katëshe në fshatin Bec të Komunës së Gjakovës, ka një javë që po qëndrojnë të hapura. Aty, hyjnë e dalin njerëz nga i gjithë fshati të cilët po e ngushëllojnë Zymer Lulashin për vdekjen e vajzës së tij 35-vjecare, Dëshirës. Në këtë familje thonë se ende nuk po i dinë arsyet që çuan në vdekjen e bijës së tyre.

Image
E ndjera, Dëshira Lulashi

Babai i saj, Zymeri tregon se telefonatën e fundit me të bijën, Dëshirën 35-vjecare, e pati 19 marsin e këtij muaji.  Atëherë, ajo i tregoi babait të saj se po qëndronte në Spitalin Rajonal të Gjakovës pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore. I kishte thënë se kishte dhembje barku, por se gjendja  shëndetësore nuk ishte serioze.

Por, një ditë më vonë, ajo vdiq. Familja tani po i akuzon mjekët e spitalit Rajonal në Gjakovë për trajtim jo të duhur mjekësor. Express, të mërkurën ka qëndruar në Gjakovë. Aty ka biseduar me familjen e të ndjerës si dhe mjekët që janë marrë me trajtimin e 35-vjeçares.

Babai i së ndjerës, Zymeri, tregon detaje rreth gjendjes shëndetësore të të bijës tashmë të vdekur.

“Në mëngjes e kam telefonuar vajzën, më ka thënë që është në spital. Më tha, kam pas mundim mbrëmë edhe burri më ka çu në spital. Kur është ba ora 7 unë kam qenë aty me gjithë djalin. Kam fol me çikën. Ajo ka qenë mirë”, tregon prindi i së ndjerës.

Ai po i akuzon mjekët në spitalin rajonal të Gjakovës se ia operuan vajzën pa ia kryer të gjitha analizat dhe fotografimet e nevojshme.

Image
Zymer Lulashi

“…e kanë marrë mandej me e çu në operacion. Për çka po bahet operimi, i kam pyet. Më kanë thanë nuk e dimë, jemi në dyshim të ujit, gjakderdhjes dhe mëlçisë. E kanë futë në sallë të operacionit në 13:30 deri në 14:00. E kam pyet mjekun kryesor se cila është gjendja dhe çka ka mund të ndodhë”, shpjegon tutje ai.

Mjekët pas operimit që ia bënë 36-vjecares, kanë konstatuar se operacioni ka shkuar mirë dhe se nga abdomeni i Dëshirës e kanë nxjerrë një sasi të vogël të ujit. Dyshime të tjera, mjekët gjakovarë, sipas babait të së ndjerës tregon se ata nuk kanë pasur.

“Më ka thënë mjeku kryesor se ato çka kemi dyshuar ne, asnjëra nuk është. Çdo gjë është në rregull. Operacioni është shumë mirë. Pak ujë e ka pas, por gjithçka është në rregull. Pasi e kemi çelë tha ia kemi heq edhe zorrën qorre. Më tha, tash qetësohet pak”, rrëfehet prindi.

Por, ai thotë se vajza pas operacionit ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pas nja gjysmë ore çika ka ardhur nga salla. I ka ardh pak vetëdija.  Ajo, ka qenë e ftohtë sikur me pas qëndru 10 ditë në frigorifer, e ngrirë. Kam shku te mjeku pastaj. I kam thanë  nuk është mirë, po duket sikur e vdekur”, tregon tutje prindi i Dëshirës së ndjerë.

Image
Fshati Berc- Gjakovë

Mjekët e Gjakovës: Dëshira vdiq nga gripi i derrit

Mjekët e spitalit rajonal në Gjakovë, Isa Grezda”, i mohojnë deklaratat e prindit të pacientës së ndjerë se ajo vdiq për shkak të mos trajtimit të duhur mjekësor.

Kirurgu,  Sabaudin Bytyqi, i cili e ka operuar Dëshirën, jep version tjetër nga prindi i saj. Ai ka sqaruar rreth trajtimit që spitali i ka bërë pacientes në fjalë.

“Pacientja në fjalë, fillimisht është pranuar në repartin e Infektives. Ka fillua me u trajtu si bark qitje, vjellje, çrregullim gastrointestinal. Po megjithëse i janë keqësuar parametrat vital, asaj i bie tensioni dhe disa pengesa tjera, atëherë është konstatuar nga internisti se pacientja duhet të kalojë në repartin internistik për reanimim.”, shpjegon doktori.

Ai thotë se pacientes në fjalë i janë bërë të gjitha shërbimet e nevojshme mjekësore në spitalin ku ai punon.

“Ia kemi ba ultrazërin, kemi pa lëng të lirë dhe gjendja ishte e rëndë. Ajo vendoset pastaj në kujdesin intensiv. Pas një dy orëve, vjen anesteziologu edhe tregon që gjendja e saj shëndetësore nuk është aspak e mire dhe se duhet fut në operim. Pas intervenimit që zgjati diku 30 minuta, u pa që nuk ka diçka me zorrë, përveç një lëngu të lirë që është retroaktiv si pasojë e ndonjë infeksioni. Mëlçia, shnetka, zorrët, i pamë që në përgjegjësi janë mirë. Kjo tregonte që diçka tjetër nuk është në rregull. I pamë gjëndrat e rrituna të mezos. Merret një gjandërr, një pjesë e umit për shkak të analizës histopatologjike dhe mbyllet barku. Nuk gjejmë asgjë tjetër”, tregon për procedurat e operimit të 35-vjecares, doktori i cili e ka operuar atë.

Tutje ai sqaron se gjatë operacionit, mjekët kanë konstatuar se Dëshira, 35-vjecare, ishte prekur nga Gripi i Derrit, dhe se nuk kishte simptoma të tjera të ndonjë sëmundje tjetër. Doktori thotë se edhe babait të vajzës ia ka thënë fjalët e njëjta.

“Këto që i kemi pa ne gjatë punës, ia prezantojë edhe prindit të vajzës. I them, ne e kryem intervenimin, por nuk ishte ajo çka menduam ne. Dyshimi më i madh është tek gripi i derrit, kështu që gjendja vazhdon të jetë e rëndë, dhe është shumë e rrezikuar. Por ishte porosia që sa më parë të dërgohet në Prishtinë”, tregon mjeku në fjalë.

Ai thotë se pacientes në fjalë i kanë ofruar të gjitha trajtimet e nevojshme.

“Ajo nuk ka shku se ka mbete pas dore. Mirëpo është një sëmundje e tillë të cilës as mjekët s’po mund t’i gjejnë zgjidhje. Operacioni këtu a shku pa komplikime. Ne realisht 90 për qind pas operacionit e kemi ditë se ka grip të derrit”, shpjegon kirurgu Sabaudin Bytyqi.

Babai i së ndjerës: Vajzën tonë na e mbytën mjekët, ajo nuk vdiq nga Gripi i Derrit

Por, familja Lulashi nga Gjakova nuk po e pranon se vajza iu vdiq nga Gripi i Derrit. Ata po thonë se mjekët në Gjakovë i thanë se operacioni shkoi mirë dhe se vajza do të kthjellet nga anestezioni pas gjysmë ore.

“Në sallë të operacionit cika ka hy pa fotografim, pa analiza, dhe asnjë dokument të gjallë ose fakte me e shti në sallë. E pyeta pse më the në rregull. Tash tha, jam pak i dyshimtë se mundet me qenë gripi i derrave. I kam thanë për 10 minuta duhet e çu për spital vajzën. Një orë kam pritë me e çu vajzën”, thotë Zymeri, prindi i Dëshirës së ndjerë.

“Çika jem, është e vdekur direkt prej doktorëve të Gjakovës. Nëse ka qenë gripi i derrave, nuk është dashtë me e ba operacion”, shpjegon tutje Zymeri.

Mjekët: Babai i së ndjerës nga kërcënoi “Nëse nuk e zgjidh gjyqi çështjen, atëherë reagojmë ne”

Me rastin tashmë janë duke u marrë edhe organet e hetuesisë kosovare. Kjo, pasi që familja e së ndjerës rastin e ka paraqitur edhe në policinë e Kosovës.

Por, rast në polici ka paraqitur edhe kirurgu Saudin Bytyqi. Ai thotë se u kërcënua nga prindi i Dëshirës, gjatë ditës së hënë të kësaj jave.

“Kërcënimi nga ana e familjarëve ka ardh diku pas 5 ditëve. Në dhomë këtu në zyrë hyn prindi. I shprehi ngushëllime. Më tha, nuk ka çka me të ardhë keq sepse këtë punë do ta ndjekë me gjyq,  deri të shpallin fajtor. Nëse ata nuk të shpallin fajtor, unë atëherë do të ta jap dënimin”, thotë doktori.

E kërcënimin ndaj mjekut e pranon edhe vet prindi i dëshirës së ndjerë, Zymeri.

 “Është e vërtetë që unë të hënën kam shku në spital dhe i kam thënë. Zotëri, çika me ka vdekë. Ti je shkaktari që ma ke vra çikën. I kamë  thanë, lutju zotit që të dënojë drejtësia, e mos të dënojë unë. Se nëse ka me të dënu unë, për ty nuk do të jetë mirë. I lutem zotit që drejtësia ta çoje punën e vet në vend. Çika jem nuk ngjallet më, por të mos merret edhe dikush tjetër në qafë”, shprehet Zymberi.

Dëshira 35-vjecare, ndërroi jetë më datë 19 mars në Klinikën Infektive të QKUK’së.  Nga kjo Klinikë nuk kanë pranuar që të japin informata rreth vdekjes dhe trajtimit të saj, duke sqaruar se me rastin po merre prokuroria e Shtetit.

Në anën tjetër, Prokuroria tashmë i ka nisur hetimet. Ka urdhëruar që pacientes së vdekur t’i bëhet ekspertiza mjeko-ligore për të sqaruar të gjitha rrethanat e vdekjes.

Në mbrojtje të mjekëve nga Gjakova, kanë reagua edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila e ka konsideruar kanosjen si pjesë e një fenomeni kriminal që po ndodh në vendin tonë ndaj mjekëve

“Anëtari ynë, S.B. është kanosur me jetë nga ana e familjarëve të një pacienteje, të cilës i ishte konstatuar vdekja në QKUK. Rasti në fjalë është pjesë e fenomenit kriminal i cili është duke ndodhur tani më në përditshmëri gjatë ushtrimit të veprimtarisë mjekësore”, kanë deklaruar zyrtarë nga Oda e Mjekëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat