Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj Pal Lekajt e deklaratave të tij drejtuar ambasadorit të Zvicrës të dhëna në emisionin Pressing në T7. Duke folur deputeti i kësaj partie, Xhelal Sveçla ka deklaruar se për Lekajn nuk është shqetësuese fryrja e listës së veteranëve e as punësimet partiake.
Sveçla është shprehur se është hipokrizi se si kolegët e tij po e mbrojnë këtë mendësi qeverisëse.
“Për Pal Lekajn nuk janë problematike dhe shqetësuese faktet dhe e vërteta e fryerjes edhe të listës së veteranëve e as punësimet partiake në ndërmarrjet publike, madje me hipokrizi kolegët e tij mbrojnë këtë mendësi qeverisëse duke pretenduar se nuk po bëjnë mjaftueshëm sa do të donin”, deklaroi deputeti i VV-së.
Tutje, Svleca po thotë se problem për Lekajn është kur dikush ja prish paqen shpirtërore që ka arritur së bashku me AAK-në.
“Pra e gjithë kjo nuk ka asnjë problem për Lekajn, problem për të është kur dikush ja rikujton atij se një gjë e tillë po ndodh në Kosovë. Për Pal Lekajn është problematik ai që ja prish paqen shpirtërore që ka arritur ai dhe subjekti i tij me këtë mendësi të shkatërrimit e keqpërdorimit”, thotë ai.
Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, deklarata e tij ndaj ambasadorit zvicerian është skandaloze dhe nuk paraqet ndonjë befasi.
“ Një deklaratë e tillë skandaloze ndaj ambsadorit zviceran sigurisht se nuk paraqet ndonjë befasi tek vjen nga subjekte të tilla që sheshazi dëmtojnë rëndë interesin publik”, përfundoi Sveçla.
Ishte vetë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj që tha se ambasadori zviceran duhet të largohet për deklaratat e dhëna për pagesat e numrin e veteranëve në Skenderaj.