“Në LDK pritet të ndërrohet lideri, PDK-ja ka nevojë për ndihmën e Thaçit”

Aktuale

“Në LDK pritet të ndërrohet lideri, PDK-ja ka nevojë për ndihmën e Thaçit”

Më: 4 prill 2019 Në ora: 00:05
Hashim Thaçi

Zgjedhjet e brendshme partiake shumë shpejt pritet të mbahen në dy partitë më të mëdha në vend, PDK dhe LDK.

Analisti politik Ilir Mirena tha se këto dy parti kanë dallime në procesin e zgjedhjeve të brendshme.

“Nëse i shikojmë të gjitha zgjedhjet e brendshme partiake që janë mbajtur prej pasluftës në Kosovë, ndoshta e vetmja parti e cila ka pasë demokraci të brendshme është LDK-ja”.

“Në LDK kanë garuar kandidatë që e kanë kaluar haptazi ‘fruthin’ e ndërrimit të kryetarit në periudha të shpeshta gjë që nuk është e njëjta me asnjë parti tjetër politike në Kosovë, në këtë rast as në PDK”.

“Kjo e bën dallimin e madh mes këtyre dy partive. Ka kohë që kanë filluar zgjedhjet e brendshme në PDK dhe pothuajse nuk ka interesim të opinionit absolutisht fare”.

Mirena në Zona B tha se interesimi i publikut për zgjedhjet në këto dy parti dallon për shkak të mundësisë së ndryshimit të liderit që sipas tij mund të ndodhë në LDK, por jo edhe në PDK.

“Derisa flitet për zgjedhjet në LDK opinioni përnjëherë është më i interesuar dhe më i fokusuar për këto zgjedhje sepse pritet që në LDK të ndërrohet lideri ndërsa në PDK nuk ka ndërrim të liderit pasi është Kadri Veseli”.

“Mendoj që kjo e bën diferencën e madhe tek zgjedhjet e brendshme të këtyre partive. Në partitë tjera do të thotë vazhdon farsa e njëjtë kinse një lojë e demokracisë së brendshme, por qysh në start dihet se kush do të jetë lideri”.

Analisti Mirena ka thënë se ajrosja më e madhe që ka nevojë PDK-ja është të qenurit të paktën një mandat në opozitë.

Madje ai ka deklaruar se kjo parti ka nevojë për ndihmën e ish-liderit.

“Kjo e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë PDK-në pasi nuk mund të ketë rezultate kualitative brenda zgjedhjeve partiake nëse ato zgjedhje nuk mbahen të paktën një herë jashtë pushtetit”.

“Mendoj që PDK-ja ka nevojë për ndihmën e Hashim Thaçit, ish-liderit të saj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat