Albin Kurti nis protestat kundër PAN hajnisë

Aktuale

Albin Kurti nis protestat kundër PAN hajnisë

Më: 4 prill 2019 Në ora: 13:07
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar mobilizim popullor për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Për këtë, ai ka bërë të ditur se ka nisur takimet me qytetarë në gjitha qytetet e Kosovës, pastaj përmes mocionit të mosbesimit në Kuvend të rrëzojnë këtë qeveri dhe ta shkarkojnë presidentin Thaçi.

Lideri i VV-së, u shpreh se dy krerët kryesor të shtetit po i dallon qëndrimi vetëm rreth taksës, mirëpo po i bashkon korrupsioni dhe hajnia.

Për këtë, Kurti tha se kjo kundërthënie e tyre është e kontrolluar dhe kontrollueshme, pasi siç konsideron ai, hajnat kur janë në pushet e kanë mosmarrëveshje, ata i zgjidhin problemet duke vjedhur më shumë.

Kurti: Kur hajnat në pushtet kanë mosmarrëveshje, i zgjidhin ato duke vjedhur më shumë

“Kryeministrin dhe presidentin e Kosovës i ndan taksa ndaj Serbisë, por i bashkon korrupsioni në Kosovë. Dhe, ajo që i bashkon është më e fuqishme sesa ajo që i ndan, meqë po rrinë bashkë në pushtet. Prandaj, këta duhet të shkojnë bashkë. Ne kërkojmë dorëheqjen si të presidentit, ashtu dhe të kryeministrit. 100 ditë në vitin 2004 Haradinajt mund t’i jenë dukur pak për të treguar vetën, mirëpo gati 600 ditë në vitet 2017, 2018 dhe tash 2019 janë tepër shumë për të pasur çfarëdo dilema rreth tij. Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha po shtohet hajnia, e po zvogëlohet durimi. Kjo kundërthënie midis Thaçit dhe Haradinajt është kundërthënie e kontrolluar dhe kontrollueshme. Shikoni hajnat në pushtet kur kanë mosmarrëveshje, e zgjidhin atë, vjedhin më shumë”, tha ai

Për tubimet me qytetarë, Kurti u shpreh se kjo do të dërgojë drejt mocionit të mosbesimit në Kuvend  dhe do t’i bëjnë numrat, por fillimisht duhet mobilizim popullor kundër Thaçit e Haradinajt.

Kurti: Numrat do t’i bëjmë njëherë në sheshe të qyteteve, mandej në Kuvend

“Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt  protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend që e largon këtë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme. Numrat do të t’i bëjmë, numrat do t’i bëjmë njëherë në sheshe të qyteteve anekënd Kosovës. E do t’i bëjmë dhe në Kuvendin e Republikës, për këtë po ndërmarrim këtë iniciativë në mënyrë që të largohet kjo qeveri. Natyrisht dhe shkarkimi i presidentit dhe largimi i kryeministrit, ndryshimet e mëdha që nevojiten për zgjedhje të reja, e të cilat janë urgjente kërkojnë një mobilizim qytetarë, por dhe popullor”, tha Kurti.

Duke folur për taksën, Kurti tha ajo duhet të mbetet, sidomos pas kushtëzimit të presidentit të Serbisë.

Kurti: Taksa duhet të mbetet

“Taksa duhet të mbetet, por kjo qeveri duhet të shkojë. Taksën e vendosën 10 për qind e mandej 100 për qind, pa plan, pa strategji pa përllogaritje e pa mbikëqyrje të zbatimit, në vend se të marrin vendim për reciprocitet të plotë politik ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nga i cili hoqën dorë. Sidoqoftë, tash që Vuçiqi, na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë”, tha Kurti.

Për më tepër, lideri i VV-së i renditi gjitha vendimet e dëmshme të qeverisë, duke e akuzuar atë për mashtrim.

Kurti: I mashtroi qytetarët në Kosovë

“Kërcënoi ish prokurorin e vetëm që shprehu integritetin profesional dhe guximin publik, Elez Blakajn. Bëri pazar me kriminelin Milan Radojqiq për formimin e qeverisë dhe pagoi 1 milion euro nga buxheti për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike. I mashtroi qytetarët në Kosovë se do të korrigjonte marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Nënshkroi kontratën më të dëmshme në histori e sektorit energjik”, tha ai.

Për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën,  Kurti përsëriti se kjo nuk bëhet me anë të konferencave për shtyp, siç po bën presidenti Thaçi, por me ndihma konkrete.

Ndërsa, sa i përket akuzave për nepotizëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti i konsideroi si të pabazuara dhe akuza që kanë për synim dëmtimin e kësaj partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat