Asnjë i dënuar, Rezalla kërkon drejtësi për masakrën që ndodhi 20 vjet më parë

Aktuale

Asnjë i dënuar, Rezalla kërkon drejtësi për masakrën që ndodhi 20 vjet më parë

Më: 5 prill 2019 Në ora: 14:16
Perkujtimi, Rezallë

Sot janë bërë 20 vjet që kur ndodhi masakra e Rezallës, ku forcat paramilitare serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur. E ata që kanë mbijetuar, ende vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për ata që në mënyrën më mizore ua vranë familjarët.

Sot janë bërë 20 vjet që kur ndodhi masakra e Rezallës, ku forcat paramilitare serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur. E ata që kanë mbijetuar, ende vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për ata që në mënyrën më mizore ua vranë familjarët.

Behar Deliu, sot ishte në Kompleksin Memorial të varrezave në Rezallë për të përkujtuar vëllain, që në moshën 7 vjeçare, paramilitarët serb ia masakruan para syve.

Ai përkujton të vëllain Bleartin, e për të cilin thotë se në mënyrën më barabarte ia vranë serbët.

Deliu: Në mënyrën më barbare iu ka marr jeta nga forcat paramilitare serbe

"E kam të vrarë vëllain, ai në 1998 ka qenë vetëm 7 vjeçar dhe në mënyrën më barbare, në mënyrën më të keqe iu ka marr jeta nga forcat paramilitare serbe”, deklaroi ai.

Behari përveç vëllait, 20 vjet më parë ka humbur edhe gjyshin, i cili ende vazhdon të jetë i zhdukur. Ai kishte qenë dëshmitar kur vëllain ia ekzekutuan ushtria serbe, derisa ka treguar se e gjitha ngjarja kishte ndodhur në oborrin e shtëpisë së axhës së tij.

Deliu: Na kanë thanë me u shtri të gjithë për toke, kemi qenë diku 24 anëtarë

“Kanë ardhur prej tri drejtimeve, një ushtar ka ardhur prej veriut, një prej jugut, një prej lindjes dhe jemi mbledhur aty na kanë thanë me u shtri të gjithë për toke, kemi qenë diku 24 anëtarë. Jemi shtri të gjithë dhe ata kanë shtri në drejtim të neve me mitrolez dhe derisa e ka hargjuar  karikatorin si lloj zinxhiri që e ka pasur komplet nuk e ka ndal. Aty ka shkuar pluhur, bërtitma, nuk u dike çka po ndodh...Vëllain tim e kishte kapur nëna dhe qysh ka treguar ajo thotë se i ka thënë se ka dhimbje në stomak dhe kur e ka prek në stomak mu mbush dora gjak”, u shpreh ai.

Askush nuk është dënuar që ka kryer një masakër të tillë në popullatën civile, e Behar Deliu, thotë se nuk kanë lënë derë pa trokitur duke kërkuar drejtësi, por sipas tij, kjo nuk ka mjaftuar pa pasur edhe mbështetjen e institucioneve

Aleme Malaj, në masakrën e Rezallës ka humbur të vëllain Sadik Malaj, e 20 vjet më pas ajo thotë se vazhdon të pres që ata që ia mbytën vëllain të dalin para drejtësisë.

Malaj: Dhimbja e tij nuk hiqet kurrë

"Dhimbja e tij nuk hiqet kurrë, historia nuk e përjeton kurrë këtë ngjarje... Shkau ka bë zi e terr në Kosovë, përditë ka përvjetorë, përditë ka dhimbje, përditë, po ishalla për xhenet të gjithë e heronj kanë shkuar të Kosovës", u shpreh ajo.

Përveç vëllait, Alemja në masakrën e Rezallës ka humbur edhe motrën, eshtrat e të cilës ende nuk i kanë gjetur. Ajo thotë se vazhdon të kërkojë drejtësi për vëllain dhe motrën e saj.

Djalin Faton Aruqi, sot po e përkujton edhe nëna e tij Kuna, e cila e kujton se si para 20 vitesh djalin ia morën nga duart.

Aruqi: Ma kanë kap prej dore dhe ma nuk e kam pa

"Ma kanë marrë prej dore, ma kanë kap prej dore dhe ma nuk e kam pa...Rëndë boll po çka me bë, nuk kemi cka me bë... Me ma kap prej dore zor është boll po çka me bë", u shpreh ajo.

Edhe Vahide Rukolli sot kishte ardhur në Kompleksin Memorial të varrezave në Rezallë, për të përkujtuar burrin Demir Rukolli. Ajo thotë se nuk e kupton se si krerët e shtetit shkojnë në bisedime me Serbinë, derisa ata nuk kanë kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë.

Rukolli: Nuk di qysh po bëjnë llaf, nuk di qysh pa kërkua falje gjithë ky krim që është bërë

“Qysh me e kujtua, më zor nuk ka. I kanë nda burrat prej grave,.. Thoshin kemi me i mbyt me fëmijë, me gra me krejt tani deri në orën 4 kemi ardhur burrat i kanë nda, grave na kanë dërguar andej për Makerrmal, edhe andej tmerr sa shkau, a po na mbysin këtu a qatje. Këtu kanë mbytur deri në 12 vjeç, pleq...Nuk di qysh po bëjnë llaf, nuk di qysh pa kërkua falje gjithë ky krim që është bërë”, tha ajo.

Burrin Jahë Aruqi, sot e ka kujtuar edhe Mehreme Aruqi, e cila thotë se pasi i kishin marrë burrin mezi kishte arritur të shpëtonte djalin e saj.

Aruqi: Me u pyet unë i kisha dënua qysh na kanë dënuar neve

“Krejt bashkë kemi qenë, familjarisht kemi qenë, na i kanë nda burrat dhe aty i kanë marrë gjysmën, burrat i kanë nda veç neve na kanë thanë për Skenderaj me shkua. Edhe djalin e kam pasur në rrezik, nuk më ka ra ndërmend njëherë në mend për burrin, fati deshi kështu... Aty është çështja e tjetërkujt, me u pyet unë i kisha dënua qysh na kanë dënuar neve i kisha dënuar edhe ata”, tha ajo.

Kujtojmë se më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës së fundit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat