Selimi ironizon me Këshillin Prokurorial: Më keni pëlqyer

Aktuale

Selimi ironizon me Këshillin Prokurorial: Më keni pëlqyer

Më: 6 prill 2019 Në ora: 16:01
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kritikuar dje kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Selimi e ka quajtur Lumezin “falsifikatori numër një”. Ai ka thënë se së bashku me Qeverinë duhet të ikë edhe kryeprokurori i shtetit.

“Kur të ikë kjo Qeveri, bashkë me këtë Qeveri duhet të bëjë gati çantën edhe ky Kryeprokuror. Ky kryeprokuror është falsifakatori numër një. Çfarë mekanizmash ka krijuar ky person në drejtësi është për t’u frikësuar”, ka thënë ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Këshillit Prokurorial.

Përmes një komunikate për media, KPK e ka konsideruar gjuhën e përdorur nga Selimi si të papranueshme, tendencioze dhe me qëllim të cenimit të integritetit.

“Theksojmë fuqishëm edhe njëherë se sistemi prokurorial i Kosovës përbëhet nga institucione profesionale, të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, të cilat janë të palëkundura në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të tyre dhe janë të pandikuara nga çfarëdo pretendimi, përfshirë edhe pretendimin e fundit të pamatur, të pavërtetë dhe tendencioz të deputetit Selimi, i cili iu ka shërbyer çdoherë forcave që nuk kanë ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në vendin tone”.

“Në përfundim ia bëjmë me dije opinionit publik se tendencat e vazhdueshme që rrjedhin nga deklaratat e tilla politike dhe jopolitike kanë vetëm një emër: Përpjekje e pasuksesshme për njollosje dhe etiketim të vlerave që përfaqësojnë zbatimin dhe sundimin e ligjit në Kosovë” thuhet ndër të tjera në reagimin e KPK.

E për këtë reagim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, deputeti I LVV-së, Rexhep Selimi, ka vetëm një fjali për të thënë.

“Po më pëlqen deklarata”, ka thënë Selimi për IO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat