Latifi – Matoshit: Koha me pa veten në pasqyrë, ikja e të rinjëve nga Kosova nuk është lajm i rremë

Aktuale

Latifi – Matoshit: Koha me pa veten në pasqyrë, ikja e të rinjëve nga Kosova nuk është lajm i rremë

Më: 10 prill 2019 Në ora: 10:06
Blerim Latifi

Këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka reaguar ndaj interpretimit të këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshit, për largimin e të rinjëve nga Kosova.

Në interpretimin e tij, veç tjerash, Matoshi thotë se raportimet për ikjen e të rinjëve nga Kosova, janë lajme të rreme dhe që burojnë nga propaganda ruso-serbe.

Ky deklarim i Matoshit ka ngjallur shumë reagime, e i fundit mes tyre, është edhe ai i Blerim Latifit.

Latifi në një shkrim në Facebook, thotë se ‘është koha ta shohim veten në pasqyrë’. Duke iu referuar shkrimit të Matoshit për ikjen e të rinjëve, përkatësisht mohimit të këtij fenomeni shqetësues të kohëve të fundit që për Matoshin është një ‘lajm i rremë’, Latifi i thotë Matoshit se nuk është ‘punë e mençur që problemet tona të vazhdojmë t’i shpjegojmë përmes konspiracioneve të mëdha kundër nesh’.

Ja shkrimi i plotë i tij:

Koha me pa veten në pasqyrë

E lexova intepretimin e Halil Matoshit për largimin e të rinjëve nga Kosova. Edhe disa reagime ndaj këtij interpretimi.

20 vite pas çlirimit nuk është punë e mençur që problemet tona të vazhdojmë t’i shpjegojmë me idenë e konspiracioneve të mëdha kundër nesh. Kjo ide është mbetje e mentalitetit totalitar, në të cilin dështimet e brendshme gjithmonë shiheshin si veprime subverzive të armikut të jashtëm. Me këtë nuk dua të mohoj përpjekjet e Serbisë për të minuar shtetin e Kosovës, përpjekje që janë shumë reale, shumë dimensionale, të vrazhda, e të sofistikuara.

Ajo që dua të vë në pah është se alibitë e kërkuara në konspiracionet e jashtme për problemet e vetshkaktuara, na shmangin nga ndjenja e përgjegjësisë për këto probleme. Kaq mjafton që të vazhdohet në thellimin e tyre.

Duhet t’i lëmë shpjegimet konspirative. Janë dyfish të dëmshme : për mendjen dhe qeverisjen. Duhet ta shohim veten në pasqyrë.

Azem Shkreli, poeti i njohur pejan, që iku herët nga kjo botë, ka një poezi briljante për ballafaqimin me veten. Poezia titullohet “Njerëzit”, dhe sot ajo na thotë shumë.

Në këtë poezi Azem Shkreli shkruan:

Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy

Do të putheshim apo kishim për t’u pshty?

Dy vargje. Një pyetje retorike. Dhe përgjigjja e dhënë në vetë pyetjen!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat