Djali i Hafir Shalës: Besoj që drejtuesit e Dialogut me Serbinë, do ta zbardhin fatin e babait tim

Aktuale

Djali i Hafir Shalës: Besoj që drejtuesit e Dialogut me Serbinë, do ta zbardhin fatin e babait tim

Më: 10 prill 2019 Në ora: 18:45
Gentrit Shala

Të mërkurën në Frontal, ka qenë i ftuar djali i Hafir Shalës, doktorit që mjekoi ushtarët e UÇK-së,  Gentrit Shala.

Ai, ani pse në kohën kur u arrestua babai i tij, ishte  vetëm tre vjeç, ka folur për karakterin e babait të tij.“Gjithçka që di për babin, janë fjalët e tjerëve. Deklaratat. Unë kam qenë vetëm tre vjeç. Mami tregon se shumëherë na ka zënë gjumi duke e pritur. Ka kaluar më shumë kohë me aktivitete patriotike, sesa me familjen. Koha ishte e tillë.”

Tutje, Gentriti ka thënë se në dhomën e studimeve te babait të tij, bashkë me Fehmi Lladrovcin, ishin organizuar protestat e iniciativat për çlirimin e vendit.

“Gjatë studimeve, është takuar me Fehmi Lladrovcin, me te cilën organizuan protesta e morën iniciativa për çlirimin e vendit. Kjo lëvizje është formuar në dhomën e tij. Komandant u zgjodh Fehmi Lladrovci. Babai im është rritur në një fryme atdhetare, nuk kishte se të ishte jeta e tij ndryshe.

Shala ka thënë se Hafir Shala, ishte i angazhuar edhe në faljen e gjaqeve.

“Në Drenas ka filluar punën si mjek. Babai është angazhuar edhe në faljen e gjaqeve Aty, i pari ishte babai im, Hafiri, që e fali gjakun e xhaxhait. I pranishëm atë kohë, ishte edhe Anton Ceta.”

Sa i përket zbardhjes së fatit të babait të tij, Shala i emocionuar ka thënë se ka besim tek drejtuesit e dialogut me Serbinë, për të cilët shton, se janë ish-shokët e babait të tij.

“Shpresat e vetme i kam të bisedimet në mes të dy shteteve. Ju bëj thirrje që në Dialogun final me Serbinë, të bisedohet për të pagjeturit. Unë kam besim tek institucionet tona. Ata, drejtuesit e sotëm të dialogut, janë shokët e babait.” Deklaroi Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat