Kuvendi diskuton për embargo ndaj Serbisë

Aktuale

Kuvendi diskuton për embargo ndaj Serbisë

Më: 12 prill 2019 Në ora: 20:26
Kuvendi i Kosovës

Me kërkesë të deputetit të LDK-s, Korab Sejdiu, Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin për vendosjen e sanksioneve ekonomike përfshirë embargon dhe sanksionet politike kundër Serbisë si masë reciprociteti.

Me këtë rast, Sejdiu tha se kërkesa e tij e mbështetur nga 12 deputetë tjerë të opozitës, bazohet në faktin se Serbia po mbetet peng i së kaluarës së saj të errët, duke vazhduar qasjen armiqësore ndaj Kosovës.

Sipas tij, një veprim i tillë për embargo ndaj produkteve dhe shërbimeve serbe, ka bazë të mjaftueshme në të drejtën ndërkombëtare.

Sejdiu: Të evndoset embargo ndaj çdo produkti dhe shërbimi serb

“Përkundër përkushtimit serioz të Republikës të Kosovës për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, Serbia mbetet peng i të kaluarës të saj të errët dhe vazhdon qasjen e saj armiqësore ndaj Kosovës. Për më tepër, kohëve të fundit kemi parë një ashpërsim të jashtëzakonshëm të veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës... Serbia ka investuar qindra miliona në destabilizimin e brendshëm të Republikës të Kosovës, duke financuar edhe rrjete kriminale... Pasur parasysh tërë këto sulm të Serbisë, Republika e Kosovës ka për obligim që të vetëmbrohet dhe të marrë masa konkrete kundër Serbisë, përfshirë këtu edhe embargon e tërësishme ndaj çdo produkti dhe shërbimi të Serbisë. Kjo nënkupton edhe përcaktimin e ndëshkimeve serioze për të gjithë ata persona që cenojnë sanksione. Dhe, dy, shqyrtimin e vazhdueshëm të sanksioneve tjera të parapara në ligjin për sanksione ndërkombëtare, veçanërisht politike ”, tha ai. 

Shefi i grupit parlamentar të LDK-s, Armend Zemaj, ka shprehur mbështetjen e LDK-s ndaj kërkesës së bashkë partiakut të tyre, deputetit Korba Sejdiu.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-s, Memli Krasniqi, ka thënë se serioziteti i seancës nuk është në nivelin e duhur, e as ai i kërkesës.

Sipas Krasniqit, është e çuditshme se si LDK në njërën anë është shprehur kundër taksës ndaj mallrave serbe, ndërsa tash kërkon embargo për produktet dhe shërbimet e Serbisë.

Krasniqi: Ka diskrepancë mes qëndrimit të LDK-s dhe kërkesës së deputetit Sejdiu

“Është një kërkesë e tejkaluar tashmë, kur kihet parasysh se kërkesa është me i vendos sanksione ekonomike Serbisë, kur kjo tashmë ka ndodhur qe gati 6 muaj... Kërkesat që i dëgjova nga propozuesi disi, së paku të krahasuara me deklarimet publike të LDK-s, ishin në diskrepancë goxha të madhe, së paku nga deklarimet zyrtare që kemi parë në shtyp e kështu me radhë. Por, sidoqoftë, për fat të keq, ndonjëherë këtu në Kuvend, deputetët flasin atë çka u duket për momentin e popullarizuar e jo qëndrimin zyrtar. Sido që të jetë, sa i përket qëndrimit tonë, çfarëdo debati që ndërlidhet me këtë çështje, konsiderojmë se duhet ta ketë një nivel më të mirë edhe të përgatitjes edhe të seriozitetit”, tha ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK -s, Ahmet Isufi, e ka quajtur të vonuar kërkesën e deputetit Korab Sejdiu, teksa ka kërkuar nga iniciuesi dhe përkrahësit e tjerë të mos zbrapsen kur Qeveria të marrë ndonjë vendim lidhur me sanksionet ndaj Serbisë.

Për Isufin, nuk është mirë që seancat si kjo e sotmja të përdoren vetëm për interesa politike.

Isufi: Haradinaj dhe qeveria nuk e heqin taksën

“Kisha kërkuar nga iniciuesi, edhe nga partitë politike, të cilat po e përkrahin këtë kërkesë, ta përkrahin taksën 100 për qind, madje edhe veprimet tjera që qojnë në reciprocitet. Por, mos t’i tërheqin fjalët pastaj, të qëndrojnë prapa vendimit kur të merret në Qeveri dhe të mos bëjnë prapa-kthehu”, tha Isufi.  

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, u shpreh se është e kuptueshme që tarifa 100 për qind është pothuajse e dështuar.

Ai tha se Vetëvendosje do të mbështesë çfarëdo iniciative për reciprocitet me Serbinë.

Sveçla: Taksa 100 për qind e dështuar, reciprocitet i plotë me Serbinë

“Ne e përkrahim taksën momentale, por e cila nuk mjafton, për shkak të dështimit në implementim por edhe për shkak të nivelit që ajo prekë. Ne mendojmë dhe kërkojmë që të ketë reciprocitet të plotë në raportet Kosovë- Serbi, dhe kjo është e vetmja mënyrë që ne të fillojmë të shihemi të barabartë me Serbinë, por edhe me të gjitha shtetet tjera”, u shpreh ai.

E deputeti Salih Salihu nga PSD, u shpreh se si subjekt në parim e përkrahin kërkesën e deputetit Sejdiu.

Salihu: Kërkesa e Sejdiut të përkrahet nga të gjitha subjektet

“Unë mendoj që duhet të përkrahet nga të gjitha subjektet politike. Për fatin që e kemi një shembull, ku vetëm taksa 100 për qind, efektin brenda Kosovës, nuk po flas efektin negativ ekonomik në Serbi, nuk përbën ndonjë shumë ët madhe në Serbi për eksport”, tha ai. 

Kurse, shefi i grupit parlamentar të Nisma-s, Bilall Sherifi, tha se keni mbështetjen e deputetëve të Nisma-s që të shkojmë me një rezolutë ku vendoset reciprocitet i plotë i Republikës të Serbisë,

Sherifi: Nisma është pro rezolutës për reciprocitet të plotë me Serbinë

“Keni mbështetjen e deputetëve të Nisma-s që të shkojmë me një rezolutë ku vendoset reciprocitet i plotë i Republikës të Serbisë, derisa ajo të ndal agresionin mbi Republikën e Kosovës, qoftë diplomatik, derisa të ndalë agresionin qoftë përmes strukturave të saj në Kosovë. Por, mos harroni që kësaj rezolute duhet t’i shtohet që vendimet tërhiqen kur Republika e Serbisë ta njeh Republikën e Kosovës. E, s’ka pastaj me thënë po prishen këtu, po prishen aty marrëdhëniet. Duhet të qëndrojmë deri në fund”, tha Sherifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat