Në PSD e mirëpresin Ilir Dedën

Aktuale

Në PSD e mirëpresin Ilir Dedën

Më: 13 prill 2019 Në ora: 15:20
PSD

Pas disa përplasjeve publike, kohët e fundit është parë një afërsi e kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe një përafrim i Ilir Dedës me Partinë Socialdemokrate.

Pas shpërfaqjes së mospajtimeve brenda Alternativës, deputeti i PSD-së, Salih Salihu ka thënë se deputeti i Alternativës Ilir Deda anon kah Partia Socialdemokrate.

Sipas tij, Deda është i mirëseardhur në këtë parti, meqë bashkë me kryetarin e tanishëm të PSD-së Shpend Ahmetin kishte qenë edhe një prej themeluesve të FER-it.

“Sa e kam parë Dedën e ka një simpati pak më tepër për PSD-në në krahasim me bashkëpartiaken e vet Mimoza Kusari-Lilën, e cila duket se më tepër anon kah Lëvizja Vetëvendosje dhe duket se do të qëndrojë në koalicion me LVV-në. Tash kështu së paku është përcjellë nëpër korridore, por jo diçka zyrtare. Por ne e mirëpresim Dedën, sepse ka qenë edhe pjesë e FER-it dhe mendoj se vendi i takon në PSD, jo diku tjetër”, ka deklaruar Salihu.

Këto zhvillime i ka komentuar njohësi i çështjeve politike Rasim Alija, i cili ka thënë se përplasjet e akuzat ndërmjet udhëheqësve të Alternativës më shumë janë protagonizëm e marrje e vëmendjes sesa diçka përmbajtjesore që lidhet me subjektin politik.

Megjithëkëtë, duke u nisur nga rrethanat aktuale Alija ka konsideruar se bashkëpartiakët, Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, në një të ardhme të afërt mund të përfundojnë në parti të tjera politike.

“Alternativa është aktive vetëm në Gjakovë. Nuk ka fuqi të theksuar politike që do të mundë të bënte ndonjë ndryshim në nivel vendi. Duke e ditur këtë protagonistët e Alternativës, e duke e lidhur edhe fatin politik të tyre me subjekte tjera politike, ka gjasa që të dy këta protagonistë, Deda e Kusari-Lila, të përfundojnë në subjekte të tjera politike ose në rastin e Kusarit të ketë koalicione parazgjedhore me ndonjë subjekt politik”, ka potencuar ai.

E tërë kjo sipas Alijës është një kalkulim për t’i mbijetuar tretjes si figura publike, por edhe si subjekt politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat