Albin Kurti në Krushë të Madhe: Populli dhe shteti duhet të dëshmohen ndaj dëshmorëve - Bota Sot
Albin Kurti në Krushë të Madhe: Populli dhe shteti duhet të dëshmohen ndaj dëshmorëve

Aktuale

Albin Kurti në Krushë të Madhe: Populli dhe shteti duhet të dëshmohen ndaj dëshmorëve

Më: 13 prill 2019 Në ora: 17:15
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka qenë i pranishëm në përvjetorin e masakrës së Krushës.

Në fjalimin e tij të mbajtur para të pranishmëve, Kurti ka thënë se “populli dhe shteti duhet të dëshmohen ndaj dëshmorëve, duke shtuar se ata (dëshmorët) nuk na lanë neve/

Kurti ka shtuar se “dëshmorët e kombit janë prijësit tanë të vërtetë. Ata nuk janë pas nesh në kohë, dhe as poshtë nesh nën dhé. Ata janë para nesh, na udhëheqin, duke na e ndriçuar rrugën, dhe, ata janë sipër nesh, shumë më lart se ne, janë ndërgjegja jonë kolektive”.

(Fjalimi në Krushë të Madhe pas homazheve te varrezat e dëshmorëve)
Të dashur qytetarë të Krushës, 
Veteranë e invalidë të UÇK-së, 
I nderuari organizator dhe Kryetar i Fshatit, Selami Hoti, 
I nderuari Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, 
Ish-Kryetar i Komunës, Profesor Idriz Vehapi,
I nderuari Gjeneral i Ushtrisë sonë, Enver Cikaqi,
I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës, Andin Hoti, 
Të dashur familjarë të dëshmorëve e martirëve të kombit,
E nderuara nëna Sevdije, 
E nderuara nëna Mynavere, 
I nderuari Baca Ismet,

Para 20 vjetëve, ju keni marrë lajmin e hidhur e të pikëlluar se u janë vrarë djemtë tuaj. Mirëpo, ju keni humbur djemtë dhe keni fituar një popull të tërë. Tash, të gjithë ne jemi fëmijët tuaj, e djemtë tuaj, fëmijët tuaj, i takojnë historisë së ndritshme e të lavdishme të kombit tonë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngjarja historike dhe kombëtare, kur e drejta dhe drejtësia pajisen me forcën dhe me fuqinë. Ne përherë kemi pasur të drejtë, mirëpo, me UÇK-në, ne fitojmë edhe fuqinë për atë të drejtë.

Dëshmorët e kombit janë prijësit tanë të vërtetë. Ata nuk janë pas nesh në kohë, dhe as poshtë nesh nën dhé. Ata janë para nesh, na udhëheqin, duke na e ndriçuar rrugën, dhe, ata janë sipër nesh, shumë më lart se ne, janë ndërgjegja jonë kolektive.

Dëshmorët nderohen jo vetëm kur i kujtojmë, por kur ata na kujtojnë neve se çka duhet të bëjmë. Kur na kujtojnë se sakrifica na takon edhe neve.

Liria që kemi është trashëgimi e dëshmorëve të kombit, dhe, ajo nuk bën të shpërdorohet. Dëshmorët janë të padiskutueshëm. Ata janë të vetmit që janë të padiskutueshëm. Ata as s’mund të gabojnë, as s’mund të tradhtojnë. Prandaj, dëshmorët i kemi në themel të shtetit e të historisë, të krenarisë e të ardhmërisë sonë. Duke u rikthyer te dëshmorët, ne e fuqizojmë veten tonë.

Pa luftën çlirimtare dhe dëshmorët e kombit, nuk jemi në gjendje të dallojmë të mirën prej të keqes në politikën shtetërore. Kështu, dëshmorët janë kushti dhe mundësia e etikës në politikë.

Të nderuar të pranishëm, 
Të dashur qytetarë të Krushës e familjarë të dëshmorëve,

Dëshmorët nuk na lanë neve, as ne nuk bën t’i lëjmë ata. Dëshmorët janë dëshmuar para kombit. Tash, populli dhe shteti duhet të dëshmohen ndaj dëshmorëve.

Lavdi Bekim Gashit e Dalip Behrës dhe gjithë dëshmorëve të kombit!

Ju falemnderit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...