Në Shqipëri 32.8% e të rinjve janë të papunë, në Kosovë 30.1%

Aktuale

Në Shqipëri 32.8% e të rinjve janë të papunë, në Kosovë 30.1%

Më: 15 prill 2019 Në ora: 11:05
Foto ilustrim

Të papunë, të paarsimuar ose të patrajnuar, alternativat e vetme për të rinjtë shqiptarë mbeten kafenetë, deri sa të gjejnë një mundësi për të emigruar, shkruan sot Shekulli.

Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka ilustruar me një hartë se si është situata e punësimit të të rinjve në Europë me të dhënat e vitit 2018 dhe Shqipëria fatkeqësisht renditet në krye të Europës për përqindjen më të lartë të të rinjve të papunë, të paarsimuar dhe patrajnuar, me 32.8% të totalit, duke ia kaluar edhe Moldavisë, vendit më të varfër të Europës.

Në Kosovë norma e papunësisë përllogaritet rreth 30.1%.

Papunësia e të rinjve është një fenomen shqetësues në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi. Në Bosnje dhe Hercegovinë përqindja e të rinjve të papunë ishte 26.4, ndërsa në Maqedoni dhe Serbi, përkatësisht 24.9 dhe 23.8 për qind.

Për të rinjtë e papunë, rrugëzgjidhje mbetet emigrimi në vendet ku norma e papunësisë së të rinjve është shumë më e ulët. Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, por edhe Kosova, po përjeton një valë emigrimi të grupmoshave të reja drejt vendeve të Europës Perëndimore.

Image

Norma e papunësisë së të rinjve është më e ulët në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore. Holanda ka përqindjen më të ulët të të rinjve të papunë, me vetëm 4%. Pas saj renditet Norvegjia ku papunësia të të rinjtë në 2018-n ishte 4.6%.

Në Gjermani, Çeki, Zvicër, Austri dhe Suedi, norma e papunësisë varon nga 6-6.5%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat