Vasfije Krasniqi kërkon të mos ketë dialog pa dënimin e kriminelëve serbë

Aktuale

Vasfije Krasniqi kërkon të mos ketë dialog pa dënimin e kriminelëve serbë

Më: 16 prill 2019 Në ora: 18:58
Vasfije Krasniqi

“Drejtësi për të gjithë” do të ketë emrin shoqata e themeluar me iniciativën e vetë të mbijetuarës së torturës, drejtësi kjo për të cilën ajo nuk rreshti së kërkuari për 20 vjet, e të cilën nuk e gëzoi asnjëherë.

‘Ambasadorja e Guximit’, Vasfije Krasniqi-Goodman,  e cila në tetor 2018 , gjeti forcën për të rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë, as sot nuk e ka të lehtë të flasë për përjetimet e asaj kohe, megjithatë thotë se Kosova u ka borxh të gjithë viktimave - drejtësinë.

Krasniqi-Goodman: Përkrahni viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

“Tash më nuk dua të flas për rastin tim, se më është bërë e tepërt, nuk e kam lehtë të përsëriti vazhdimisht, se çfarë më ka ndodhur mua para 20 vjetësh. Unë dëshiroj të flas pak për padrejtësinë. Nuk ka qenë lehtë për mua në moshën 17-vjeçare të kërkoj drejtësi tek UNMIK-u, në vitin 2010 tek EULEX-i, por tash prej shtetit tim dua drejtësi, prej Kosovës se na e ka borxh, edhe e di që mund të bëjë më shumë për drejtësi, për krejt krimet që i bëri Serbia në Kosovë...Unë ju kisha lut të na përkrahni që të arrihet drejtësia për të gjitha edhe pse unë për rastin tim tash në këtë muaj do të shkoj në Kongresin Amerikan, për të kërkuar drejtësi për rastin tim dhe rastet tjera”, tha ajo.

E sa i përket dialogun me Serbinë, Krasniqi-Goodman e ka një mesazh për institucionet vendore.

Krasniqi-Goodman: Nuk duhet të ketë dialog pa u dënuar kriminelët serbë

“Nuk duhet të ketë negociata pa u përmend këto krime, nuk do të ketë miqësi Serbia me Kosovën nëse nuk dënohen kriminelët që kanë kryer krimet. Ne nuk po duam hakmarrje, por duam drejtësi, asgjë më tepër, asgjë më pak”, ka thënë ajo.

Duke kërkuar mbështetje nga familja, ajo me lot në sy ka treguar edhe rastin e një nga 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila u dhunua  nga bashkëshorti i saj për shkak të asaj që kishte përjetuar.

Krasniqi-Goodman: Boll më me paragjykime 

“Edhe një rast dua të ju tregoj që e kam lexuar, që i ka ndodhur një kosovareje që është dhunuar ajo gjatë luftës. Kur e ka kuptuar burri i vet se ajo është dhunuar gjatë luftës, kur është kthyer nga mali që kishte ikur, e ka lënë gruan në shtëpi me fëmijë, është kthyer në shtëpi dhe e ka dhunuar gruan e vet në prani të fëmijëve veç pse e ka lënë fajtore për atë që ka ndodhur prej një serbi, tash si po të duket që po ta bëjë edhe unë. Boll më me paragjykime, mos na bëni të pabarabartë me të tjerët”, është shprehur ajo.

Duke kujtuar rastin e Vasfijes, vëllai i saj Nafi Krasniqi thotë se beteja më e rëndë gjatë këtyre viteve ka qenë drejtësia, ndërsa shprehet i zhgënjyer nga institucionet vendore.

Krasniqi: Zhgënjim i madh të jesh pjesë e këtij vendi

“Beteja për drejtësi qenka më e rëndë, sepse edhe këtu po vërehet që mungon mbështetja e institucioneve ose gatishmëria e tyre që të na përkrahin dhe mbështesin. Tek e fundit, janë të thirrur në aspektin ligjor dhe në aspektin moral që të kontribuojnë për t’i ndëshkuar krimet...Ne kërkojmë që të mbështeten viktimat e dhunës seksuale, përderisa për krimet e luftës kërkojmë drejtësi dhe do të jemi zëri i fuqishëm i secilës viktimë...Është zhgënjim i madh të jesh pjesë e këtij vendi”, tha Krasniqi.

E drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se historia e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa vuajtjen dhe përjetimet e 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Rushiti: Përmes kësaj organizate do të mbledhim fakte për krimet e dhunës seksuale

“Po mendojmë fuqishëm që përmes kësaj organizate të udhëhequr nga Nafi Krasniqi, i cili përveç motivit personal, shquhet edhe për aktivizimin e tij dhe me përvojën e hidhur, gjatë periudhës kur e ka ndjekur Vasfijen në çdo hap të drejtësisë, të drejtësisë së vonuar dhe të dështuar në këtë rast, që ne përmes kësaj organizate do të arrijmë të dokumentojmë, të mbledhim fakte, do të hulumtojmë dhe rastet do t’i ndjekim në drejtësi, organizatë kjo që ndoshta i ka munguar shoqërisë kosovare”, tha ajo.

Valon Murati, ekspert i çështjeve për të drejtat e njeriut, thekson se, ndaj këtyre viktimave është bërë një krim dhe tri padrejtësi.

Murati: Tri lloj padrejtësish janë bërë ndaj viktimave të dhunës seksuale

“Një krim dhe tri lloj padrejtësish janë kryer ndaj kësaj kategorie shoqërore, ndaj këtyre njerëzve, ndaj këtyre viktimave të dhunës në Kosovë. Krimi dhe padrejtësia kryesore është shkaktuar nga Serbia nuk ka dyshim. Krimin e dhunës seksuale si mjet lufte e ka kryer pushteti serb përmes aparatit të dhunës. Viktimat duke iu ekspozuar dhunës seksuale janë ekspozuar një krimi shtetëror-sistematik të planifikuar në qëllim që të realizohen qëllimet e caktuara politike”, tha ai.

Padrejtësia e dytë është bërë nga vetë familja, ku viktimat e dhunës seksuale janë stigmatizuar nga familja, derisa padrejtësia tjetër Murati thotë se e ka bërë pikërisht shoqëria, e cila deri vonë shumë pak e ka trajtuar këtë problematikë.

Vasfije Krasniqi, tashmë 36-vjeçare, më 14 prill, ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë, ku i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual. Për këtë akt makabër, asnjë person ende nuk është i dënuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat