Përplasje mes deputetes së LDK-së e atij të AAK-së: Kush kujt i kërkoi 10% për çdo tender?

Aktuale

Përplasje mes deputetes së LDK-së e atij të AAK-së: Kush kujt i kërkoi 10% për çdo tender?

Më: 17 prill 2019 Në ora: 10:11

(E plotësuar) - Pas pauzës, është duke vazhduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

***

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet për të vazhduar seancën në orën 14:15.

Para se të shkojë në pauzë, aty u debatua për pagën minimale.

Haradinaj: Kemi sfida me korrupsion, kanë ekzistuar edhe në qeverinë paraprake

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pranon që ende përballen me sfida me korrupsion dhe rend e ligj.

Por sipas tij, këto probleme kanë ekzistuar edhe më parë, në kohën e qeverive paraprake. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është i thirrur në interpelancë për pagën minimale, shefi i Qeverisë tha se është i interesuar të rrisë pagën minimale në Kosovë.

Kryeministri kërkoi nga deputetët që të ruajnë një kredibilitet të diskutimit, meqë siç tha ai, nuk është fajtor për krejt çka ka ndodh prej vitit 2011 deri tani, lidhur me sektorin privat.

Haradinaj: Kemi sfida me korrupsion

“E pranoj që kemi sfida me korrupsion, sfida të tjera me rend dhe ligj, nuk janë të sotit besoj, të gjithë e dimë që ato kanë ekzistuar edhe në kohë të Qeverisë paraprake, kjo nuk është një amnisti për këtë qeveri, ne duhet me u përballë me korrupsionin. Por nëse dikush do me më bind mua, ose zonja ministre ose një ministër që në qeverinë Mustafa nuk ka pas korrupsion, nuk mendoj që është mirë me fol ashtu, jo se ka pas, nuk e di a ka pas se me pas shkoj në prokurori, por kur të ka korrupsion është prokuroria, janë gjykatësit, vet prokuror nuk jam dhe nuk kam qenë ndonjëherë, por po dua t’ u them ju lutem merrni këtë temë ta kryejmë së bashku. Unë jam i interesuar ta kryej,  i kemi kryer edhe disa tema të tjera, edhe besoj shumë që sipërmarrësit do të na kuptojnë”, tha ai.

Haradinaj tha se nuk synojnë të dëmtojnë sipërmarrësit të cilët me vështirësi i japin pagat për punëtorët.

Tutje, ai tha se është më rëndësi edhe rritja e zbatimit të ligjit në punë, dhe të drejtat e punëtorëve.

Deklarimi i kryeministrit erdhi pas atij të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se vit pas viti është shtypur sektori privat në vend dhe janë rritë pagat e sektorit publik me qëllim të fitimit të votave.

Bajrami: Duhet të luftohet korrupsioni

“Me luftu korrupsionin, kështu u ndihmojmë ndërmarrësve, mos me i rritë pagat tona pa spas rritje ekomomike sepse kështu po u vjelim atyre fitimin për me shfrytëzu për privilegje tona, stop këtyre dukurive”, tha ajo.

Ajo tha se nuk duhet të trajtohen këto çështje me populizëm.

***

Visar Ymeri nga PSD-ja tha se është e rëndësishme që deputetët së bashku të bëjnë një rezolutë.

“Rezoluta që e kemi propozuar, duhet ta ndryshojmë si reflektim i debatit të sotëm dhe ndryshimit të rrethanave. Ajo ka qenë e propozuar në fillim të këtij viti. Një prej çështjeve të rëndësishme është që ne ta miratojmë një kërkesë obligative për Qeverinë që brenda një afati 30 ditë të rrisë pagën minimale. Domosdoshmërish duhet të hiqet niveli i dyfishtë i pagës, pra sipas moshës. Ata që e bëjnë punën e njëjtë duhet të kenë pagë të njëjtë. Çështja tjetër afatgjate është se duhet të kemi një objektiv të asaj që quajmë pagë minimale ashtu edhe një vlerësim të koeficientit”, tha Ymeri.

Hoti: Qeveria Haradinaj nuk hezitoi t’ia rris vetës pagën prej 100%

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar se dallimi i pagave mes sektorit privat me atë publik është 35% në paga, por edhe kritikoi Qeverinë Haradinaj për rritjen

“Ministri i punës ka dhënë hezitim për rritjen e pagës minimale po Qeveria nuk hezitoi në fillim që t’i rris vetës pagën prej 100%. Ne e patëm rregullu pagën minimale por pagat duhet të jenë në proporcion me rritjen ekonomike”.

“Paga mesatare në sektorin publik është 35% më e madhe se në sektorin privat. Ne në ekonominë e tregut presim që pagat të jenë më të mëdha, ka qenë më keq edhe vitet më parë por atëherë ka qenë 17% më e madhe ndërsa tani ëshë 35% dallimi”.

Hoti theksoi se në bazë të statistikave zyrtare në Qeverinë Mustafa ka pas 40 mijë vende pune tek trusti pensional ndërsa në Qeverinë Haradinaj ka 7 mijë vende pune më pak.

Ministri i Punës thotë se është e domosdoshme rritja e pagës minimale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka thënë se menjëherë nesër, pasi të konstituohet Këshilli Ekonomik Social, do të fillojnë negociatat dhe do të dërgojnë në Qeveri propozimin për rritjen e pagës minimale.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Reçica ka thënë se ka pasur hezitime të përkrahet propozimi i vitit 2017, për rritje të pagës minimale. Sipas tij, kjo ka qenë arsyeja pse ai propozim i Këshillit Ekonomik Social nuk është miratuar në mbledhje të Qeverisë atë kohë.

Ministri i Punës ka thënë se rritja e pagës minimale në Kosovë është e domosdoshme për shkak të rritjes së kostos jetësore që ka ndodhur në vend.

Reçica: Në vitin 2017 nuk është përkrahur propozimi për rritje të pagës minimale

“Pas miratimit të propozimit nga ana e këshillit ekonomik social, në fund të vitit 2017 pak ditë pas kompletimi të materialeve, të njëjtin material e kam përcjellë në qeveri. Dua të jem shumë i hapur, ka pasur hezitime se propozimi i KES-it për pagën minimale do të ketë implikime ligjore dhe buxhetore. Të njëjtat jam përpjekur maksimalisht t’i sqaroj që nuk ka implikime ligjore, bazuar në opinion ligjor të departamentit ligjor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Hezitimet kanë vazhduar dhe kjo është arsyeja që ende ai propozim i KES-it i marrë në fund të vitit 2017 të mos renditet për miratim në mbledhje të qeverisë”, tha ai.

Sipas Reçicës, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim në mbulimin e kostos jetësore,  e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies qytetare në vend.

Ai tha se menjëherë pas konstituimit të këshillit do të nisin negociatat për një propozim që do ta përcjellin pastaj në qeveri.

***

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se ajo po kërkon 10% të fitimeve për çdo tender të shpallur.

Në seancën e Kuvendit ku po flitet për pagën minimale, Bajrami tha se ngritja e pagave dhe diskutimi për këtë është duke u bërë vetëm për shkak të fitimit të votave në elektorat.

“Secili deputet kërkon me dal me kërku vota do ta mbështesë një gjë të tillë. Mungoi guximi për ta trajtutr një çështje të tillë sepse Ligji për veteranët dhe pensioni i veteranëve ka referencë pagën minimale. Prandaj kur të rritet paga minimale rriten pensionet dhe ka kosto buxhetore. Saherë që i kanë rritë pagat janë fituar vota”, tha ajo.

Tha se “edhe efekti i taksës po shihet. I kemi humbur 17 mijë vende të punës në bazë të Bankës Botërore e cila është bazuar në statistikat zyrtare të shtetit”, përfundoi ajo.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj. Ai pyeti deputeten e LDK-së që të tregoj se kush kujt i kërkoi 10% për çdo tender.

“Po ky far 10 përqindëshi që Qeveria po e kërkojka për çdo tender, kush kujt dhe kur ia paska kërku, meqenëse paski informata”, tha Nitaj.

Tha se nuk i kupton “ata që thonë se rrtija e pagës minimale qenka vetëm shpërndarje e varfërisë. Tani nuk e di se a janë për ngritjen e kësaj page apo për uljen e saj”, përfundoi ai.

E deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami iu kundërpërgjigj sërish deputetit të partisë së Haradinajt.

“Unë i them se kam mundur të gaboj vetëm në përqindje. Ajo mund të jetë vetëm pak ma e lartë”, përfundoi ajo.

Sherifi: Paga minimale duhet të rritet çdo vit

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, deklaroi sot në Kuvendin e Kosovës se paga minimale është dashur të rritej deri tani, dhe publiku duhet ta di pse nuk ka ndodhur kjo rritje.

Në seancën e Kuvendit ku në interpelancë është kryeministri Ramush Haradinaj, dhe po diskutohet për pagën minimale, Sherifi tha se nuk ka logjikë të diskriminohen punëtorët për shkak të moshës, derisa kryejnë të njëjtën punë.

Sherifi: Mos të lejohen abuzime siç është bojkotimi i këshillit ekonomik social

“Në ligj duhet të futet një automatizëm, të mos u lihet mundësive abuzive siç janë bojkotimi i këshillit ekonomik social sepse e dimë që një kohë është bojkotuar nga akterë të ndryshëm, të cilët kanë konsideruar se mund t’u preken interesat e tyre, por duhet të vendoset një nen ku me automatizëm rritet paga minimale që do të thotë me rritjen e shpenzimeve të kostos së jetesës, me inflacion apo të përdoret një çelës, kolegët ekonomisë, Avdullah Hoti, Safetja, e dimë më mirë si mund të gjendet një metodë përmes së cilës rregullohet kjo çështje me automatizëm”, tha ai.

Sipas tij, kjo çështje duhet të rregullohet sa më shpejt. Ai tha se paga minimale duhet të rritet çdo fillimvit.

Ndryshe, paga minimale në Kosovë nuk është rritur që nga viti 2011.

Kollçaku: Pozitë e opozitë po pajtohen për shkelje të ligjeve në fuqi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, në seancën ku po diskutohet për rritjen e pagës minimale, tha se në Kosovë ajo është e caktuar në mënyrë arbitrare, duke u klasifikuar edhe në bazë të moshës së punëmarrësve.

Sipas saj Kollçakut, caktimi i pagës minimale edhe për personat mbi moshën 35 vjeç tregon që në Kosovë ka deficit në kuptimin dhe interpretimin e konceptit të pagës minimale, meqë sipas saj personat mbi moshën 35 vjeç nuk do të duhej të prekeshin fare nga ky problem.

Kollçaku: Gjatë rritjes së pagës minimale duhet merren parasysh dëmet për ekonomitë private

“Është me interes që gjatë vendosjes së saj të kenë parasysh dëmet që mund t’i shkaktohen edhe ekonomisë private, ne e dimë që shteti në këtë rast duhet të ketë parasysh gjithmonë gjatë vendosjes së pagës minimale edhe mbrojtjen e interesit të bizneseve të vogla dhe atyre familjare, dhe aty duhet të ketë subvencionim dhe përkrahja e shtetit duhet të jetë e madhe”, tha ajo.

Ajo tha se pozitë e opozitë në Kuvend po pajtohen rreth shkeljeve të ligjit në fuqi.

Kollçaku: Pozita e opozita dakordohen për shkelje të ligjeve në fuqi

“Më vjen mirë që gjatë fjalimeve në Kuvend, opozita dhe pozita dakordohen për shkelje të ligjeve në fuqi, dhe mendoj që edhe në përfundim duhet të dakordohemi që çfarë duhet të ndërmerret për përmirësimin e situatës dhe korrigjimin e padrejtësive e në veçanti për korrigjimin e padrejtësisë tashmë mbi 9 vjeçare për mos rritjen e pagës minimale në Republikë ne Kosovës”, tha ajo.

Kollçaku tha se qeveritarët janë kujdesur për rritjen e pagës së tyre, ndërkohë kanë lënë anash qytetarët duke mos e lëvizur fare pagën minimale.

Kadaj-Bujupi: Kufiri minimal i pagesës të zhvendoset në orën e punës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi tha se paga minimale në Kosovë është diskriminuese dhe nuk mbulon nevojat elementare të punëtorit. Sipas saj ajo duhet të ndryshohet, dhe të bëhet edhe ndryshimi i modalitetit.

Në seancën ku po diskutohet për rritjen e pagës minimale, Kadaj-Bujupi tha se hap fillestar për pagën minimale duhet të jetë ndryshimi i modalitetit ku kufiri minimal i pagesës të zhvendoset në orën e punës.

Kadaj - Bujupi:  Të ndryshohet modaliteti i pagës minimale

“Hap fillestar sa i përket pagës minimale duhet të jetë ndryshimi i modalitetit. Paga minimale nuk duhet të njihet si e tillë por si pagesë minimale për orë pune, pra kufiri minimal i pagesës për këtë njësi të ketë orën e punës. Ndryshimi i modalitetit të pagës  minimale, pra kur kufiri minimal i pagesës të zhvendoset në orën e punës do të minimizojë manipulimet me kontratat e punës, do të nxitej respektimi i pagave shtesë ndërsa punëtorëve do të u mundësohet puna fleksibile përgjatë ditës”, tha ajo.

Ajo tha se duhet të ndryshohet baza që përcakton pagën minimale për orë pune sipas moshës, dhe  të ndryshohet rregullimi diskriminues që dallon pagesën minimale për orë punë për punëtorët nën moshën 35 vjeç.

Sipas saj, kjo kategori duhet të ketë të njëjtin kufi minimal të pagesës për orë pune.

***

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka folur për pagën minimale ku ka thënë se Grupit Parlamentar i LDK-së do të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështje si për punëtorët e sektorit privat si për ata publik.

Ai edhe ka pyetur për atë se “si ndihet një punëtor që dikush në Trust i ka 5 mijë euro rrogë kurse për vete i ka 130 euro”

Shtoi se “ne takohemi me punëtorë të cilët kryejnë shërbime edhe në Kuvend. Janë pastrues të dinjitetshëm që me pagat e tyre mbajnë familje. Kjo temë duhet të ketë trajtim dinjitoz dhe jo vetëm të mekanizmave që është diçka populiste. Duhet një zgjidhje adekuate edhe për stabilitetin ekonomik.”

“GP i LDK-së do të ndihmojë në këtë proces që punëtorët çoftë në sektorin privat a publik të rregullohet pa përdorur mekanizma të cilët mund të lënë shije siç ishte rasti me sindikatat e arsimit”, tha ndër të tjera ai.
Ndryshe, paga minimale në Kosovë është 130 euro.

***

Kuvendi i Kosovës po zhvillon punimet e seancës në të cilën po diskutohet për rritjen e pagës minimale, diskutim ky në kuadër të një rezolute të paraqitur nga Partia Socialdemokrate, ku ka kërkuar që të rritet urgjentisht paga minimale në 250 euro, për të gjithë të punësuarit.

Ymeri: Rritja e pagës minimale, masa e parë urgjente

Visar Ymeri nga PSD, si prezantues i rezolutës, tha se rritja e pagës minimale në 250 është masa e parë urgjente që duhet të merret.

Ymeri: Rritja e pagës minimale në 250 është masa e parë urgjente

“Rritja e pagës minimale në 250 euro është masa e parë urgjente, sipas ligjit paga minimale duhet të ndryshojë çdo vit, propozimi për niveli ne saj duhet të shkojë nga këshilli ekonomiko social tek qeveria, por qeveritë në vazhdimësi i kanë injoruar kërkesat e sindikatave dhe e kanë sabotuar dialogun social, dhe po flas për të gjitha qeveritë që kanë shërbyer në Kosovë në mandate të ndryshme”, tha ai.

Image

Ai tha se kjo rritje duhet t’i përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe a gjinie. Ai shtoi se  parimi pagë e njëjtë për punën e njëjtë, duhet përforcuar.

Ymeri: Të ketë rritje të pagës minimale për secilin të punësuar

“PSD propozon që ndarja moshore që parasheh ligji aktual dhe 130 euro pagë minimale për të rinjtë deri në 35 vjeç të hiqet menjëherë, pra të kemi një pagë minimale për secilin të punësuar pavarësisht çfarë moshe a çfarë gjinie i takon”, tha ai.

Ymeri tha se  rritja ka efekt tek punëtoritë e sektorin privat. Ndërkohë që sipas  tij niveli i ulët i pagës minimale  i godet më shumë gratë.

PSD ka dorëzuar një rezolutë më 4 prill, për të cilën Ymeri tha se është për tu diskutuar dhe dakorduar edhe me grupet e tjera parlamentare.

Ai bëri thirrje që Kuvendi të marrë vendim dhe të kërkojë nga këshilli ekonomik social që ta diskutojë edhe një herë, dhe ta dorëzojë kërkesën në qeveri, përkatësisht të kërkojë nga kryeministri që sa më shpejtë të marrë vendim për rritje të pagës minimale.

Kuvendi mban një minutë heshtje për të vrarët në masakrën e Poklekut

Kjo është bërë me kërkesë të deputetes së PDK-së Ganimete Musliu.

“Sot në Poklek të Drenasit përkujtohet masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Republikën e Kosovës gjatë  vitin 1999 ku 54 anëtarë të familjes Muqolli bashkë me mysafirë që i kanë pasë prezentë janë pushkatuar, karbonizuar, dhe një lopatë hi është varrosur në një varr të përbashkët nga 54 anëtarë. Konsideroj që sot në këtë Kuvend, duhet të mbahet një minutë heshtje për të gjithë të rënët në Poklek”, tha Musliu.

Aida Dërguti ia bën bajat Molliqajt

Deputetja e PSD-së, Aida Dërguti iu është kundërpërgjigjet deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës që e ka akuzuar atë se kishte qenë pjesë e SHIK-ut.

“Po vazhdon një debat I degraduar në të cilin nuk kam dashur të përfshihem sepse jam mësuar snë të gjithë angazhimin tim të flas mirë oër vv në mmetin kur skam mundur të flasë mirë kam vendosur të hesht. Para dy ditëve Glauk Konjufca më ka përmendur si pjesë e SHIK-ut dhe besoj se ja kam një borgj opinionit sqarim,  Edhe pse e kam mundësinë për një padi për shpifje, megjithatë kam një vlerësim për Glaukun dhe e kuptoj situatën në të cilën ndodhet.Nuk e mohoj asnjë ditë të angazhimit tim dhe cfarëdo veprimtarie që kam aps dhe shëribimi im në UCK ka qenë nder dhe rkanari ka qenë modes po  në përputhje me të gjitha rregulloret  luftës”, tha Dërguti.

Tutje ajo ka folur edhe për veprimtarinë e saj para dhe pas luftës.

Pas përfundimit të luftës unë kam qenë pjesë e operacionit Shigjeta, kemi dorëzuar armët na u është dhënë urdhër të vazhdojmë në zonat tona për të vazhduar kontributin dhe në këtë kuadër bashkë me ish-burrin tim në atë kohë kemi qenë të fejuar jemi lajmëruar në shtabin në Kolovicë ku ka qenë komandant ish-deputeti I LDK-së, Nuredin Ibishi që më ka sistemuar në zonën operative të llapit, detyra ime ka qenë identifikimi I një liste të gjatë të atyre që kanë qenë në UCK- e qysh në atë kohë patën filluar të paraqiten edhe veteranët e rrejshëm. Meqenëse nuk kisha shërbyer në zonën operative të llapit mua më është dukur vetja që nuk po muj me dhanë një kontribut të mjaftueshëm dhe kam dalë nga aty, pra kam qenë pjesë e G2-shit”, shtoi ajo.

Vazhdimi i seancës së Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosoves po vazhdon mbajtjen e seancws plenare. ku janë paraparë të mbahen edhe dy interpelanca.

Me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate do të mbahet interpelanca me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Po ashtu me kërkesë të po këtij grupi, do të mbahet interpelanca e dytë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat