KPMM kundër shkrirjes së saj në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës

Aktuale

KPMM kundër shkrirjes së saj në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës

Më: 24 prill 2019 Në ora: 13:19
Pamje nga takimi

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale e ka kundërshtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, i cili parasheh që KPMM të shkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.

Sipas Komisionit të Pavarur për Media dhe Minerale, një projektligj i tillë i dekurajon edhe investitorët e huaj që janë të interesuar për investime në sektorin minerar.

Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi tha se ky projektligj është në debat publik dhe parasheh që ky komision të jetë pjesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Krasniqi: Draft-ligji parasheh bashkëdyzimin e Shërbimit Gjeologjik dhe KPMM-së

“Në të cilin draft është paraparë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale të jetë pjesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht të bëhet bashkë dyzimi i dy agjencioneve apo Shërbimit Gjeologjik për miniera dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale”, tha Krasniqi.

Se një shkrirje e tillë e cenon pavarësinë e KPMM-së dhe i frikëson investitorët potencialë në këtë sektor e tha edhe kryetari i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani sipas të cilit kjo është një shkelje e standardeve evropiane, dhe shumë  parime të strategjisë minerare.

Ai madje ka thënë se hartuesit e këtij projektligji nuk kanë njohuri në sektorin minerar, andaj ka kërkuar një rishikim.

Shabani foli edhe për Ligjin për Miniera dhe Minerale, i cili ndodhet në lexim të dytë, për të cilin beson se do të rregullojë edhe më shumë  çështjen e funksionimit dhe pavarësisë së këtij komisioni.

Sipas kryetarit të Bordit të KPMM-së, Shërbimi Gjeologjik i Kosovë nuk mund të japë licenca për hulumtim pasi kjo është përgjegjësi e KPMM-së.

Shabani:  Me këtë projektligj po frikësohen investitorët e huaj

“E kundërshtojmë në tërësi këtë projektligj pasi që ky projektligj bie edhe në kundërshtim me ligjin bazë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe Agjencive të Pavarura bie në kundërshtim me strategjinë minerare të Kosovës 2011-2025, bie në kundërshtim me pavarësinë e marrjes së vendimeve larg ndikimeve politike, frikëson investitorët serioz dhe potencial që pretendojnë të investojnë në Kosovë, de-funksionalizon në funksionimin e dy institucioneve si KPMM-në dhe Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, ulet në nivel të departamentit vendimmarrja, shkëputet lidhja me Kuvendin dhe llogaridhënia. Pra shihet qartë që hartuesit e projektligjit nuk e kanë njohur mirë funksionimin e sektorit të minierave dhe mineraleve në Kosovë“ ,tha Shabani.

Nga Departamenti për miniera në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Skender Sallahu tha se ashtu siç e parasheh ligji për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura që licencimi, hulumtimi dhe kontrolli nuk mund të bëhet në një vend.

Sipas tij, edhe aspekti i licencimit që tani e bën KPMM, nëse i kalon Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, mund të paraqesë konflikt interesi.

Sallahu thotë se ky projektligj kërkon trajtim edhe në aspektin ligjor, profesional dhe administrativ.

Sallahu: Ky projektligj nuk trajton mirë disa çështje të sektorit minerar

“Kemi parë që drafti përmban disa çështje që është trajtuar në aspekte goxha të thella derisa shkonte edhe te pozicionimi i stafit, mirëpo në aspektin e qasjes nuk e trajton mirë çështjen e sektorit për arsye se në disa raste propozon degradim , në disa raste stafin e Shërbimit Gjeologjik thotë që të sistematizohen edhe nuk e përcakton ku...Po ashtu, në aspektin e licencimit ne mendojmë që kontrolli dhe licencimi në një institucion mund të jetë edhe konflikt interesi, kështu që ne propozojmë që institucioni i cili pajisë kompanitë me licenca të jetë një agjencion i ndarë, kurse institucioni si Shërbimit Gjeologjik i cili merret me hulumtim që i bie që do pajisë Kosovën, institucionet kosovare me kualitet të të dhënave gjeologjike të jetë një institucion në vete”, tha Sallahu.

Ndryshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura është propozuar nga Ministria e Administratës Publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat