Kosova vendi i vetëm në Ballkan që nuk shënon rritje në numrin e të punësuarve - Bota Sot
Kosova vendi i vetëm në Ballkan që nuk shënon rritje në numrin e të punësuarve

Aktuale

Kosova vendi i vetëm në Ballkan që nuk shënon rritje në numrin e të punësuarve

Më: 24 prill 2019 Në ora: 13:33
Pamje nga takimi

Nëse vendet e Ballkanit do të donin të mbërrijnë shkallën mesatare të punësimit me vendet me të ardhura mesatare, do të duhej të krijonin edhe 2.8 milionë vende të reja të punës, ndërsa nëse dëshirojnë të arrijnë mesataren e BE-së, do të duhej të krijonin edhe 3.7 milionë vende të punës.

Kjo u tha në takimin e radhës në kuadër të “Debateve në Riinvest”, me temë "Raporti i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor 2019", organizuar nga Kolegji Riinvest.

Me këtë rast, Endrit Pllashniku nga Kolegji Riinvest prezantoi raportin "Statistikat e raportit të Bankës Botërore – Tregu i Punës në Kosovë", ku tha se mbetet shqetësuese që Kosova është i vetmi vend i Ballkanit që nuk ka shënuar rritje në numrin e të punësuarve.

Sipas tij, papunësia mbetet problemi kryesor i të gjitha vendeve të Ballkanit, ndërsa në Kosovë dhe Bosnje është shumë më i theksuar.

Ai tha se rritja e pagave në sektorin publik ka shkaktuar një debalancë të madh me sektorin privat, teksa bëri një krahasim për vendet e Ballkanit.

"Përkundër rritjes ekonomike, raporti i Bankës Botërore potencon që kjo rritje nuk është përkthyer në krijimin e vendeve të reja të punës, aq fuqishëm sa mund të tingëllojë rritja 4.5 për qind. Edhe pse punësimi u rrit në të gjitha vendet tjera të Ballkanit, Kosova është i vetmi vend që nuk ka shënuar rritje të numrit të të punësuarve. Sa për krahasim, nëse vendet e Ballkanit do të donin të mbërrijnë shkallën mesatare të punësimit me vendet me të ardhura mesatare, do të duhej të krijonin edhe 2.8 milionë vende të reja të punës, ndërsa nëse dëshirojnë të arrijnë mesataren e BE-s, do të duhej të krijonin edhe 3.7 milionë vende të punës", tha ai.

Alban Zogaj nga Kolegji Riinvest tha se rritja ekonomike e vendit nuk po përkthehet në vende të punës. Sipas tij, 23 për qind e të punësuarve del të jenë të punësuar pa pagesë në biznese familjare, kryesisht në bujqësi.

"Nëse e analizojmë këtë rritje, investimet kapitale nuk sjellin punësim, e edhe nëse sjellin, sjellin punësim afatshkurtër. Vendi ka nevojë për punësime afatgjata. Banka Botërore i ka 5 rekomandime kyçe dhe na japin një ide të mirë: rekomandimi i parë është medoemos ruajtja e makro-stabilitetit fiskal, rekomandimi i dytë lidhet me reformat që Kosova duhet të bëjë në programin e asistencës sociale. Rekomandimi i tretë lidhet me investimet që duhet të bëhen në kapitalin human, dhe këtu Banka Botërore jep një fokus të veçantë. Rekomandimi i katërt lidhet me rritjen me efikasitetin e institucioneve publike, ku Qeveria e Kosovës dhe donatorët duhet të rritin efikasitetin e tyre.  Rekomandimi i 5-të është përmirësimi i qeverisjes dhe sundimit të ligjit", tha ai.

Ndërsa, Venera Demukaj nga RIT Kosova, tha se raporti vë në dukje që rritja ekonomike në Kosovë rezulton të jetë e paqëndrueshme. Sipas saj, është për brengosje fakti që Kosova është i vetmi vend në rajon që ka paga shumë më të larta në sektorin publik se në atë privat.

Profesori Muhamet Mustafa tha se nëse shikohet pjesëmarrja e Kosovës në buxhet, ajo qëndron në vendin më të ulët në krahasim me vendet e Ballkanit.

Sipas tij, Kosova nuk mbledh mjaftueshëm të ardhura për buxhet, 27 për qind.

"Të dhënat për paga, investime kapitale, shërbime sociale, Kosova ndan për paga pak më shumë se Shqipëria, por më pak se sa Bosnja e Mali i Zi. Për shërbime sociale, Kosova ndanë më së paku, e për investimet kapitale ndanë më së shumti", tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...