Pantina: Të rinjtë po ikin me viza pune, si të punojnë me paga më të ulëta se 250 euro

Aktuale

Pantina: Të rinjtë po ikin me viza pune, si të punojnë me paga më të ulëta se 250 euro

Më: 4 maj 2019 Në ora: 16:17
Shqipe Pantina

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, thotë se nuk do të ndalen me aktivitete derisa Qeveria e Kosovës, të nënshkruajë vendimin administrativ me të cilin paga minimale në Kosovë që është 135-170 euro të rritet në 250 euro.

Në Intervistën e Javës në Koha, Pantina thotë se duhet shtuar presioni ndaj Qeverisë së Kosovës për rritje të pagës minimale.

“Kemi bërë një varg aktivitetesh për t’i bërë presion Qeverisë së Kosovës që të marrë vendimin për të rritur pagën minimale, nga 135-170 në 250 euro. Kjo ka qenë shuma që ekspertët me të cilët ne jemi konsultuar, kanë ardhur në përfundim që do të ishte reale. Hapi i parë ka qenë kërkesa për interpelancë në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo ka ndodhur 2 muaj më herët, por për shkak të mënyrës se si po funksionon Kuvendi, ajo është shtyrë për disa herë”, thotë Pantina.

Pantina, thotë se shpresojnë që së shpejti edhe Kuvendi do të nxjerrë një përfundim për këtë çështje dhe do të votojë një rezolutë që i drejtohet Qeverisë për ta ngritur pagën minimale.

Në Kosovë, ka 8 vjet që paga minimale nuk është rritur. Pantina thotë se pikërisht për këtë, kërkojnë mbështetjen e sindikatave e qytetarëve. Bazuar në këtë, PSD-ja ka nisur një peticion online me kërkesën e vetme rritjen e pagës minimale.

“Nuk do të ndalemi me aktivitete derisa Qeveria e Kosovës ta nxjerrë vendimin për rritje të pagës minimale”, tha ajo.

Pantina, thotë se ka besim që Qeveria në krye me Haradinajn të reflektojë, por përmend disa përplasje që ekzistojnë brenda Qeverisë.

“Me sa di unë, brenda Qeverisë ka mospajtime mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por, i bëjmë thirrje Qeverisë pavarësisht këtyre ta nxjerrë vendimin administrativ dhe nuk duhet të jetë më i ulët se 250 euro”, tha ajo.

Pantina, thekson se paga minimale e papunësia, janë arsyet kryesore pse të rinjtë po ikin nga Kosova.

“Të rinjtë që po ikin, po ikin me viza pune. Po shkojnë në vende të ndryshme të BE-së për një punë që u shpërblehet me një pagë të dinjitetshme”, tha ajo.

Luftimi i korrupsionit, Pantina thotë se mbetet prioritet i PSD-së. Kjo parti ka iniciuar në Kuvend kërkesën për debat parlamentar për Vettingun.

“Besojmë se në seancën e ardhshme të rregullt, do të jetë pikë e rendit të ditës, që në fund të nxjerrim një rekomandim apo rezolutë që t’i kërkojmë Qeverisë të fillojë procedurat për hartimin e legjislacionit dhe më pas zbatimin e procesit të Vettingut”, tha Pantina.

Sipas saj, brenda gjyqësorit dhe prokurorisë ka ende njerëz të ndërgjegjshëm e të përgatitur që duan të vendosin rend dhe ligj por ka edhe të atillë me afera korruptive. “Brenda tyre kemi edhe shumë njerëz që ose janë të papërgatitur profesionalisht ose të përfshirë në afera korruptive, dhe kështu bëhen pengesë reale dhe e fuqishme edhe për ata që duan ta luftojnë korrupsionin”, tha deputetja e PSD-së.

Vettingu, thotë ajo, edhe në vendet e rajonit e ka ndihmuar gjyqësorin të ndërmarrë veprime të shpejta dhe efektive në luftën kundër korrupsionit.

“Për ta luftuar korrupsionin, duhet gjyqësor i pakorruptuar. Procesi i vlerësimit, apo vettingu, është hapi kryesor që do çonte vendin drejt një gjyqësori me kapacitet dhe lufton korrupsionin”, u shpreh Pantina.

Pantina foli edhe për prezantimin e Kosovës në Samitin e Berlinit. Thotë se është e rëndësishme që shtetet më të fuqishme në BE kanë rritur interesimin dhe vënë theksin në procesin e dialogut.

“Është për keqardhje që institucionet e Kosovës dhe shoqëria jonë s’kemi zë të unifikuar. E para, kemi përçarje të thellë pozitë-opozitë. Akoma më keq, kemi përçarje mes vet institucioneve, pra mes Presidencës dhe Qeverisë. Kjo e dëmton pozicionin e Kosovës karshi Serbisë por edhe miqve tanë ndërkombëtarë. Është e domosdoshme që dialogu të kthehet në Kuvend, Ekipit Shtetëror t’i bashkohen dy subjektet tjera opozitare dhe Kosova të prezantohet me një zë”, tha Pantina.

Ajo thotë se është me rëndësi që Kosova ka treguar se nuk do Asociacion me kompetenca ekzekutive, sepse kjo do ta shndërronte Kosovën në një Bosnje të dytë, dhe gjithashtu, Kosova s’lejon as ndryshim të kufijve.

Ka folur edhe për rolin e PSD-së dhe bashkëpunimin që ka me pjesën tjetër të opozitës. Thotë se bashkëpunojnë me ta për çdo temë me të cilën pajtohen ose u nevojiten nënshkrimet.

“Aty ku ne dallojmë nga dy partitë tjera opozitare, është që ne vazhdimisht kemi marrë pjesë në votimin e ligjeve sepse përveç që mendojmë se është obligim i secilit deputet, janë në të mirë të qytetarëve e vendit. Është e papranueshme që për mosmarrëveshjet me partive politike të pësonin qytetarët”, tha ajo.

Mohon deklarimet e pjesës tjetër të opozitës se PSD-ja bashkëpunon me Qeverinë.

“Opozitarizmi ynë ka të bëjë edhe me të qenit efektiv. Duam që realisht t’i ndryshojmë gjërat e jo vetëm të flasim e të sillemi si në fushatë zgjedhore”, tha Pantina.

Për fat të keq, thotë Pantina, opozita nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme sepse nuk i ka votat e mjaftueshme.

“Për zgjedhjet e ardhshme, ose duhet të ketë marrëveshje nga subjektet në koalicion ose njëra nga ato t’i bashkohet opozitës në rrëzimin e qeverisë. Më shumë ka gjasa që ndonjë nga subjektet në Qeveri t’i bashkohet opozitës, edhe kjo varet se kush. Qeveria do të rrëzohej me mbështetjen e PDK-së, në rast se ju konvenon atyre. Pra, do të kemi zgjedhje vetëm kur u shkon përshtati partive në koalicion”, tha deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat