Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, për “Bota sot”, tha se koha për të ndërtuar një Gjykatë Ndërkombëtare ka kaluar.
“Ishte një gjykatë e tillë, ajo është mbyllur(fjala është për Tribunalin e Hagës) . Pastaj kur u bë Gjykata Speciale për Kosovën, ajo do të duhej të merrej me të gjitha krimet e kryera në Kosovë, por ajo kohë shkoi. Nuk besoj që do të bëhet tani”, u shpreh Krasniqi.
Ai, po ashtu, tregoi se këtë çështje e ka trajtuar edhe në librin e tij të fundit, “Arti i bisedimeve”.
Ndryshe, në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilat njihen edhe si Gjykata Speciale. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, institucionet e Kosovës po paralajmërojnë nisjen e procedurave për themelimin e një gjykate apo siç po quhet, Tribunali për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.