Edhe PSD mbështet projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

Aktuale

Edhe PSD mbështet projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

Më: 16 maj 2019 Në ora: 16:34
Deputeti i LDK-së Armend Zemaj

(E plotësuar) - 

Partia Socialdemokrate iu është bashkuar partive tjera në mbështetje të projektrezolutës për gjenocidin e kryer serb në Kosovë.

Deputetja e PSD-së Shqipe Pantina ka thënë se vërejtjet e tyre i kanë dhënë gjatë punës së komisionit.

Pantina: Ne i japim mbështetje tekstit të rezolutës

“Ne i japim mbështetje tekstit të rezolutës dhe do ta votojmë atë”, tha ajo.

Lushtaku: Serbia të pranojë krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë

Deputeti Mërgim Lushtaku në emër të PDK-së, ka thënë se përmes rezolutës së prezantuar sot në Kuvend të kërkohet që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Ai tha se si grup parlamentar e mbështesin rezolutën për gjenocidin serb të kryer gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Lushtaku: Kërkojmë që Serbia të pranojë krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë

“Konsideroj që është një shpagim në njërën anë dhe mirënjohje në anën tjetër për të gjithë ata që kanë sakrifikuar në Kosovë në çfarëdo forme apo mënyre nëse arrijmë që përmes kësaj rezolute si një proces që Serbia të marrë dënimin e merituar për krimet, shkatërrimin dhe gjenocidin që i ka shkaktuar Kosovës. Bashkë me kolegët e tjerë deputet kemi punuar që të arrijmë deri këtu që Kuvendi i Republikës së Kosovës të del me një rezolutë për gjenocidin e kryer serb në Kosovë. Duke u mbështetur në kartat dhe konventat ndërkombëtare të organizatave të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve relevante që flasin për të drejtat e njeriut dhe dënimet e krimeve dhe gjenocidit. Pastaj në raport me rezolutat e shumta që ndërlidhen me këtë temë, përmes kësaj rezolute kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, duke dëshmuar së pari se Serbia e ka ndryshuar mendësinë poli tike dhe ka qasje tjetër në raport me Kosovën në kuadër të fqinjësisë së mirë si dy shtete fqinje”, tha Lushtaku.

Ai tha se Serbia edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës vazhdon të fshehë çështjen e 1 mijë e 600 të pagjeturve, duke tentuar të humbasë gjurmët e krimit dhe gjenocidit të kryer.

Përmes kësaj rezolute ai tha se kërkohet që Serbia përpos pranimit të fajit të ndryshojë fatin e të pagjeturve, të dalin para drejtësisë fajtorët e krimit dhe gjenocidit, të paguajë dëmshpërblimin e luftës duke kompensuar të gjitha dëmet


LVV mbështet rezolutën për gjenocidin serb, ka vërejtje për çështjet faktike

Deputeti Sami Kurteshi nga Vetëvendosje, ka thënë se e mbështesin rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë dhe se do ta votojnë, por që ka thënë se kanë disa vërejtje sa i përket çështjes faktike pasi sipas tij kanë qenë disa probleme.

Kurteshi ka thënë se nuk janë shteruar të gjitha hulumtimet, sipas tij në disa raste ka të dhënë që nuk janë të njëjta dhe se pjesa faktike e mbështetur në të dhëna shkencore të bazuara është e varfër.

Kurteshi: Sa i përket çështjes faktike, kjo ka qenë pjesa më problematike

“Unë kam bindjen se teksti i rezolutës është mbështetur dhe ka marrë parasysh të gjitha instrumentet relevante ndërkombëtare që kanë të bëjnë me këtë çështje. Sa i përket çështjes faktike, kjo ka qenë pjesa më problematike unë e them këtu qartë, se ne duhet të votojmë diçka për të cilën duhet të dimë se çka përmban. Unë kam bërë përpjekje të shfletoj të gjitha dokumentet, gjithë literaturën e të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës që janë marrë me hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Fatkeqësisht po e them edhe një herë   këtu kemi vërejtjet, me të drejtë janë disa vërejtje të cekura, fatkeqësisht së pari nuk janë shteruar të gjitha hulumtimet, çështja tjetër është se nganjëherë kemi të dhëna që nuk janë të njëjta dhe çështja e tretë është se nëse bëjmë përpjekje që pjesa faktike të mbështetet në të dhëna shkencore të bazuara ajo pjesë jashtëzakonisht është e varfër dhe në këtë rast ka qenë e mundur që të bazohemi vetëm në të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që nuk janë shteruese dhe nuk janë të plota”, tha ai.

Kurteshi tha se në rezolutë përmenden rreth 100 masakra, por që sipas tij numri i tyre është shumë më i madh. Ai tha se ka qenë e pamundur që me numrin e hulumtimit të nxirret më shumë.

LDK mbështet projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj ka deklaruar se partia pjesë e të cilës është e mbështet projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se ky gjenocid përpos që do të kërkohet të njihet si pjesë e legjislativit të jetë obligim edhe për botën demokratike si kërkesë drejtuar atyre që i kanë kryer këto krime, Serbisë.

Zemaj: Në emër të LDK-së t’i japë përkrahje kësaj projektrezolute

”Në emër të LDK-së t’i japë përkrahje kësaj projektrezolute ashtu siç e potencoi edhe kolegu im për gjenocidin serb të kryer në Kosovë në vitet 1998-1999, duke renditur së pari dhe duke pasur parasysh konventat ndërkombëtare, të cilat janë të miratuara nga bota demokratike për parandalimin dhe dënimin e krimeve të gjenocidit. Duke u bazuar në bazën juridike përmes raporteve dhe rezolutave po ashtu ndërkombëtare për krimet e ndodhura në Kosovë gjatë viteve ‘90, duke renditur faktet relevante të krimeve të kryera monstruoze dhe masakrave gjatë viteve ‘90 dhe duke kërkuar simbolikisht një ditë, një datë të përkujtimit të gjenocidit, si dhe duke kujtuar dhe kërkuar që ky gjenocid përpos që do të kërkohet të njihet si pjesë e legjislativit të jetë obligim edhe për botën demokratike si kërkesë drejtuar atyre që i kanë kryer këto krime Serbisë”, tha ai.

Zemaj ka kërkuar që kjo rezolutë të votohet nga Kuvendi i Kosovës për të dënuar krimet e ish-pushtetit serb ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat