Djali i Ismet Osmanit-Currit plagoset në një përleshje me armë zjarri – arratiset nga policia

Aktuale

Djali i Ismet Osmanit-Currit plagoset në një përleshje me armë zjarri – arratiset nga policia

Më: 26 maj 2019 Në ora: 19:07
Armir Osmani, djali i Ismet Osmanit

Armir Osmani, djali i Ismet Osmanit, është plagosur me armë zjarri në fillim të këtij viti, pas një përleshje mes dy grupeve në Prishtinë. Media merr vesh se ai është arratisur, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ende nuk kanë mund të marrin deklaratë nga Osmani i cili në këtë rast është cilësuar si palë e dëmtuar.

Në shkurt të këtij viti, djali i mafiozit Ismet Osmani i njohur si Curri, që është arrestuar të hënën për rastin e fajdeve, është përfshirë në një përleshje me armë zjarri.

Insajderi merr vesh se Armir Osmani në këtë përleshje ka mbetur i plagosur në këmbë nga një armë zjarri.

Përleshja mes dy grupeve sipas policisë ka ndodhur në Prishtinë, ku përveç plagosjes së Osmanit, ka pasur edhe të lënduar.

“Më datën 12.02.2019 rreth orës 15:35,  është raportuar  se në rrugën ”Ali Kelmendi” në Prishtinë  ka ndodhur një rast, ku gjatë përleshjeve mes dy grupeve përveç lëndimeve trupore është plagosur edhe një person në këmbë nga arma e zjarrit”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia e konfirmuar se lidhur me këtë rast janë identifikuar tre persona të dyshuar.

“Dy prej të cilëve janë arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë rregullt”.

Sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, rasti është përcjell në Prokurori me kallëzim penal me datën 03.05.2019, ku personat e dyshuar ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë edhe armëmbajtje pa leje.

“Personat e dyshuar ngarkohen me veprat penale: Lëndim i rëndë trupor, mbajtje ne pronësi ne kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve, përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm, pjesëmarrje në rrahje”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, është duke e hetuar këtë rast. Por konfirmon se ende nuk kanë pranuar deklaratën e Armir Osmanit i cili në këtë rast sipas prokurorisë është palë e dëmtuar.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15.02.2019, ka pranuar  Raport të veçantë nga Policia e Kosovës. Personi për të cilin keni kërkuar informacione A.O., është i dëmtuari në këtë rast”.

“Prokurori i cili është duke e trajtuar këtë rast, ka autorizuar Policinë për marrjen e deklaratës nga i njëjti, në drejtim të grumbullimit të informatave, pasi që i dëmtuari A.O., ende nuk i është përgjigjur ftesës për dhënien e një deklarate të tillë”, thuhet në përgjigjen e Laureta Ulajt, nga Zyrtare për Informim e Prokurorisë.

Ndonëse ky rast ka ndodhur në muajin shkurt, Osmani ende ndodhet në arrati. Policia e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen e Insajderit nëse ka arritur ta gjejë vendndodhjen e Osmanit, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka njoftuar edhe një herë, se nuk ka ende asnjë deklaratë nga ai.

“Lidhur me rastin në fjalë, për të cilin keni kërkuar informata, situata mbetet e njëjtë, ashtu siç ju kemi njoftuar javë më parë”, tha Laureta Ulaj me 20 maj të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat