Gruaja që u sulmua ditë më parë në Lipjan, sot gjatë ditës ka qarkulluar një video në medie ku shihet se po e njëjta grua është sulmuar në Ferizaj.
Kjo grua është arrestuar nga policia e Kosovës, pasi që në rrjetet sociale u shpërnda lajmi se ka bërë tentime për grabitjen e disa fëmijëve.
Mirëpo, Policia e Kosovës e ka liruar gruan për rastin në fjalë.
Për këtë ka reaguar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thotë se ky rast është tonditës, i tmerrshëm dhe i turpshëm, përcjell “Bota sot”.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka shkruar se si është e mundur që familjet shqiptare, që vet ishin viktima të përbuzjes, diskriminimit e dhunës, nuk edukojnë fëmijët që të tjerët t’i trajtojnë me dhembshuri, barazi e njerëzi?
“Si është e mundur që institucionet e sigurisë e drejtësisë, që ishin viktimë e përjashtimeve masive e diskriminimit, sot të ofrojnë drejtësi selektive?”, ka shkruar ajo
Postimi i plotë:
Tronditëse, e tmerrshme dhe e turpshme
Si është e mundur që familjet shqiptare, që vet ishin viktima të përbuzjes, diskriminimit e dhunës, nuk edukojnë fëmijët që të tjerët t’i trajtojnë me dhembshuri, barazi e njerëzi?
Si është e mundur që shkollat tona, që ishin viktimë e nje sistemi diskriminimi e aparteidi, sot nuk mësojnë nxënësit për respektim të të drejtave themelore të tjetrit, pavarësisht etnisë, ngjyrës e përkatësise tjetër?
Si është e mundur që disa media, që vet ishin viktimë e shkeljes së fjalës së lirë e të drejtës së shprehjes, sot të kontribuojnë në krijimin e rrethanave ku të tjerët shndërrohen në target të sulmeve, duke ushqyer urrejtje?
Si është e mundur që institucionet e sigurisë e drejtësisë, që ishin viktimë e përjashtimeve masive e diskriminimit, sot të ofrojnë drejtësi selektive?
Kemi dështuar keq, si shtet e si shoqëri.