“Thaçi bashkë-kryetar me Veselin në PDK”

Aktuale

“Thaçi bashkë-kryetar me Veselin në PDK”

Nga: A.ZH Më: 7 qershor 2019 Në ora: 18:27
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, foto ilustrim nga "Bota sot"

Analisti politik Faton Abdullahu, ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi ka ndikim të madh në PDK dhe mund të quhet bashkë-kryetar bashkë me Kadri Veselin.

Ai ka thënë se Thaçi nëse e sheh me interes mund të determinojë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, përcjell Bota sot.

Por, sipas Abdullahut, pozita e përçarë në koalicionin PAN për çështjet strategjike, është terren i përshtatshëm që të mbetet gjallë propozimi i Thaçit për shkëmbim territoresh.

Prandaj, sipas tij, PSD dhe deputetët e partive në pozitë, do të duhej ta kuptonin se mënyra më efikase për të ndalur aventurën e Thaçit, janë zgjedhjet e parakohshme.

Postimi i Abdullahut:

Presidenti aktual z. Thaçi ka ndikim të madh në PDK sa që pa dyshim mund të quhet bashkë-kryetar i kësaj partie bashkë me z. Veseli. Kjo i jep atij mundësi që nëse e sheh me interes, me manovrime dhe interferime të caktuara, të determinoj, rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Por a do ta bënte këtë Presidenti? Nëse ai e sheh koalicionin PAN, përkatësisht Qeverinë Haradinaj si pengesë për projekt-propozimin e tij për sikundër thotë ai marrjen e Luginës së Preshevës që në të vërtetë është shkëmbim territoresh me Serbinë, atëherë dikush mund të mendoj se Presidenti do ta ndihmoj rrëzimin e këtij koalicioni.

Por e vërteta është se mu kjo pozitë jo unike dhe e përçarë në çështje strategjike sidomos rreth dialogut e koalicionit PAN, është terren i përshtatshëm që të mbetet gjallë dhe aktiv propozimi i Thaçit për shkëmbim territoresh. Prandaj për të pasur strategji dhe unitet kundër Serbisë dhe me qëllim që të nxjerrim përfitime nga dialogu me te, na duhen zgjedhjet e parakohshme. Nëse kuptohet rëndësia vitale e këtij procesi, besoj se edhe PSD edhe deputet tjerë të forcave tjera politike pozitare, do ta shohin se mënyra më efikase për ta ndryshuar kursin në të mirë të vendit tonë dhe për ta ndalur aventurën e Presidentit aktual janë zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat