LDK me qëndrime të kundërta për rrëzimin e qeverisë - Bota Sot
LDK me qëndrime të kundërta për rrëzimin e qeverisë

Aktuale

LDK me qëndrime të kundërta për rrëzimin e qeverisë

Më: 15 qershor 2019 Në ora: 10:20
LDK

Përçarjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës sa vijnë e shtohen. Zgjedhjet e brendshme po përcillen me prishje të kuvendeve të nëndegëve e disa sosh janë shoqëruar edhe me rrahje.

Një qasje ndryshe që flet për dallimet brenda subjektit, është edhe mundësia e përfshirjes së Listës Serbe në mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.     

Janë pikërisht dy figurat kyçe të partisë, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani, të cilët vlerësohet të jenë kandidatët kryesorë në garën për të parin e LDK-së, e që kanë qëndrime të ndryshme sa i përket rrëzimit të qeverisë.

Derisa Haziri mohon kategorikisht mundësinë e ndërtimit ose rrëzimit të qeverisë me ndihmën e votave të Listës Serbe, Osmani thotë se nuk do të kërkojnë votat e këtyre të fundit, por thekson se nuk do të përzihen në vullnetin e deputetëve, pavarësisht etnisë apo grupit parlamentar që i përkasin.

Në një prononcim për kp, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se edhe këta të fundit kanë të drejtat e tyre kushtetuese si deputetë të Kosovës, porse thekson se LDK nuk mund të lejojë që një grupim politik i varur shumë nga ndikimi i Beogradit zyrtar, të jetë protagonist në ndërtimin dhe në rrëzimin e Qeverisë.

Haziri: Lista Serbe nuk do të jetë protagoniste e rrëzimit të Qeverisë 

“Mocioni i mosbesimit ndaj LDK-së ka qenë i organizuar, i inspiruar, i nënshkruar edhe me pjesëmarrjen e Listës Serbe, por ka qenë problem i PDK-së që ka pranuar në atë kohë me qenë pjesë e njëjtë. Ne nuk e kemi kulturën e njëjtë politike, kjo na dallon neve...  Politikisht, për LDK-në është e papranueshme që ata me pas një rol kritik në procese të mëdha politike, sepse dirigjimi prapa tyre qëndron jashtë Kosovës dhe ai burim në Beograd nxjerrë ujë të trubullt”, thotë ai.

E bashkëpartiakja e Hazirit, deputetja Vjosa Osmani thotë se nuk kërkojnë nënshkrimet e Listës Serbe për rrëzim të qeverisë, por nuk përzihen në vullnetin e deputetëve, pavarësisht etnisë apo grupit parlamentar që i përkasin.

Osmani thotë se do t’i rikonfirmojnë 58 nënshkrimet e mbledhura deri tani, të cilat deri më tash janë vetëm nga opozita.

Edhe ajo kujton se të gjithë ata që sot ankohen në votat e Listës Serbe, kanë marrë pjesë në mocionin kundër qeverisë së LDK-në në vitin 2017.

Osmani: Nuk i përzihemi vullnetit të deputetit

“Ne nuk do t’i kërkojmë nënshkrimet e Listës Serbe, mirëpo ta keni të qartë një gjë, kur hyjnë në Kuvend dhe vendoset mocioni në votim, ne nuk mund ta kontrollojmë votën e deputetëve individualë, ne nuk i përzihemi vullnetit të deputetit, pavarësisht etnisë që i takon, lidhur me mocionin që ne e propozojmë....Target në aspektin pozitiv, i yni janë deputetët e pushtetit, të partive në pushtet të cilat janë duke shprehur mospajtime me mënyrën se si po qeveriset me Kosovën. Nëse ata i kanë seriozisht ato vërejtje, ndoshta nuk do të hezitojnë tre ose katër prej tyre të japin nënshkrimet që t’i kemi 61”, tha ajo.

Qëndrimet e kundërta brenda LDK-së, nuk përbëjnë risi për njohësin e aktualitetit Rasim Alija. 

Alija: LDK-ja  gjithmonë ka pasur akterë me qëndrime të kundërta

“Kanë pasur qëndrime dhe vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta, akterë, figura kyçe brenda LDK-së. Kujtojmë zgjedhjen e presidentit dhe një mori vendimesh tjera lidhur me qëndrimet e kundërta brenda LDK-së. Mirëpo kjo çështje aktuale rreth përfshirjes së Listës Serbe në rrëzimin e qeverisë, ka të bëjë më shumë si garë brenda vet subjektit politik. Ne e dimë se dy figurat kryesore brenda që tentojnë me e marrë kreun e LDK-së janë Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani dhe rrjedhimisht edhe përplasja shihet në frymën e tillë, garë brenda subjektit politik”, thotë Alija.

Alija shton se kjo është çështje që i takon kryesisë së LDK-së dhe jo personaliteteve brenda subjektit. Përkundër përçarjeve të ndryshme brenda LDK-së, që u shoqëruan edhe me rrahje dhe prishje të kuvendeve nëpër nëndegë, Alija beson se krejt kjo nuk do të rezultojë me përçarje të subjektit.

Alija: Isa Mustafa i vetmi person që mund të mbajë të bashkuar LDK-në

“Në fund procesi i legjitimimit të kryetarit të ri të LDK-së, do të sillet rreth figurës së Isa Mustafës. Është e vetmja figurë e cila do të arrijë të mbajë të bashkuar dhe jo të përçarë Lidhjen Demokratike të Kosovës”, thekson ai.

LDK është duke zhvilluar zgjedhjet e brendshme, kuvendet e të cilës tash e disa herë po ndërpriten për shkak të tensionimit të anëtarëve, e që janë shoqëruar edhe me rrahje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...