Kosova sivjet kryeson me tri nisma rajonale - Bota Sot
Kosova sivjet kryeson me tri nisma rajonale

Aktuale

Kosova sivjet kryeson me tri nisma rajonale

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 17:02
Pamje nga takimi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot gjatë ditës në takim ambasadorët e disa prej vendeve anëtarë të nismës rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Republika e Kosovës nga 8 korriku 2019 do të marrë kryesimin e nismës rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), është e rëndësishme të theksohet se kjo po ndodh në të njëjtin vit kur Kosova tashmë ka kryesimin me Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe me Iniciativën Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI).

Ministri Pacolli vlerësoi se SEECP gjatë kryesimit të Kosovës në detyrë do të zhvillohet më tej si një shprehje e solidaritetit dhe përpjekjeve të shteteve pjesëmarrëse për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis tyre dhe shteteve dhe strukturave tjera euroatlantike.

“Ne jemi të vetëdijshëm se do të ketë vëmendje shtesë ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi gjatë kryesisë tonë në SEECP. Unë jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që do të kemi për shkak të marrëdhënieve të Kosovës me disa nga anëtarët”, tha ministri Pacolli, duke shtuar se ideja dhe synimi i Kosovës është që të përballojë këtë vëmendje në një mënyrë pozitive.

Pacolli bëri të ditur se prioritetet e Republikës së Kosovës do të jenë promovimi i kulturës dhe artistëve të ri, si dhe trashëgimia kulturore dhe harmonia fetare.

Vendet anëtare të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia dhe Rumania.

Kryesimi i SEECP është njëvjeçar dhe kryesinë e radhës e ushtron Kosova, duke filluar nga muaji korrik. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...