Milaim Zeka: Avni Arifi e ka shkelur ligjin, po përzihet një qorbë shokuese

Aktuale

Milaim Zeka: Avni Arifi e ka shkelur ligjin, po përzihet një qorbë shokuese

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 20:29
Milaim Zeka

Deputeti Milaim Zeka ka folur rreth raportimit se njerëz të kryeministrit Ramush Haradinaj dje zhvilluan takim në Berlin me përfaqësues të Serbisë, për Asociacionit dhe taksës. Kosovën e përfaqësoi ambasadori në Emiratet e Bashkuara, Avni Arifi dhe këshilltari i Qeverisë, Selim Selimi, që të dy duke tejkaluar kompetencat e tyre.

Zeka ka thënë se është shkelje e ligjit që një ambasador të vije nga Emiratet e Bashkuara dhe të shkojë në një takim me përfaqësues të Serbisë.

‘’A e ka shkel ligjin Avni Arifi “Apsolut që po.  Një ambasador i cili është në Emirate të Bashkuara dhe vjen prej Emirateve prej Abu Dabit në Berlin, një qorbë e keqe është t’u u zi. Është do me thanë një kombinim i tmerrshëm. Dy njerëzit ma të afërt të Kryeministrit së bashku me një avokat, une fare nuk jam duke e dëshifru dhe duke e zbërthy këtë matematikë të këtij takimi. Kjo për mu është shokante’’, ka thënë Zeka.

Tutje Zeka thotë se Haradinaj e kishte akuzuar Thaçin për takime të fshehta me Radoiçiqin, kurse tash del se ai vetë po bën gjëra të tilla.

‘’Mos-transparenca e takimeve në çfarëdo niveli në raport me me Serbinë është për mendimin tim kontraproduktiv dhe është turp për këtë vend. Ramush Haradinaj e ka akuzu Hashim Thaçin që ka ba takimev sekrete me Vuçiqin, tash doli sot në media se edhe njerëzit e Ramush Haradinajtë kanë mbajtë takime sekrete në Berlin me përfaqësuesit e Serbisë.’’, ka thënë Zeka.

Burimet ndërkombëtare dhe vendore, kanë konfirmuar se një takim i fshehtë ka ndodhur mbrëmë, e mërkurë 19.06.2019, në Berlin.

Sipas tyre, ftesën e njerëzve më të afërt të kancelarës gjermane Angela Merkel, mbrëmë është mbajtur një takim sekret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky takim është mbajtur në zyret e kancelarisë Gjermane dhe aty kanë marrë e pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, mirëpo jo edhe përfaqësues nga SHBA-të.

Pala serbe është udhëhequr nga Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

Të njëjtat burime ndërkombëtare dhe vendore e kanë konfirmuar se kryeministri Haradinaj tashmë ka pranuar propozimin e Gjermanisë që Kosova të pranojë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive si kompromis kryesor për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sipas këtij skenari, Serbia nuk do të ketë nevojë ta njoh pavarësinë e Kosovës de jure dhe as te vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Serbia vetëm do ta pranojë faktin se Kosova ka territorin e saj.

Pra, takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës.

Për këtë takim, është deklaruar edhe kryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, duke thënë se nuk kanë fare njohuri për diçka të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat