Flasin nga LDK: I rrezikshëm takimi sekret i njerëzve të Haradinajt me Gjuriqin në Berlin, mos të habitemi nëse ndodh edhe...

Aktuale

Flasin nga LDK: I rrezikshëm takimi sekret i njerëzve të Haradinajt me Gjuriqin në Berlin, mos të habitemi nëse ndodh edhe...

Nga: N.H Më: 21 qershor 2019 Në ora: 16:38
Pamje nga takimi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas takimit sekret të njerëzve të Ramush Haradinajt në Berlin, ku përfaqësues i palës serbe ishte Marko Gjuriq.

Shefi i GP-së së kësaj partie konsideron se ky është një takim i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm.

Mes tjerash në këtë reagim, Hoti ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së.

Ja shkrimi i tij:

LDK kundër takimeve të fshehta me Serbinë

Image
Avdullah Hoti

Takimi i fshehtë i përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm.

Dialogu nuk ka arsye të fshihet, pa marrë parasysh nivelin e tij dhe çështjeve që diskutohen në dialog. Gabojnë edhe shtetet e BE-së në qoftë se kultivojnë një praktikë të tillë sepse e bënë procesin e dialogut të pabesueshëm për ne dhe për qytetarët e Kosovës.

Veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të pret Kosova nga dialogu, kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi.

Për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria. Mos të habitemi, në qoftë se pas disa dite do të dëgjojmë edhe për një takim të fshehtë në Beograd ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive, që është shkelje absolute e principeve të dialogut.

LDK është e bindur se dialogun nuk mundet dhe nuk duhet ta udhëheqë ky koalicion qeverisës dhe as Presidenti i vendit. Që të kemi dialog përmbajtjesor dhe të përgjegjshëm duhet të mbahen zgjedhet, të dal një qeveri me besim të qytetarëve dhe të arrihet pajtueshmëri e gjerë.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat