Thaçi udhëton në Bjellorusi – atje ndodhet edhe Aleksander Vuçiq

Aktuale

Thaçi udhëton në Bjellorusi – atje ndodhet edhe Aleksander Vuçiq

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 18:33
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Bjellorusi, ku do të marrë pjesë në hapjen e Lojërave OIimpike “Minsk 2019”.

Në Minsk do të jetë gjithashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërkohë nuk dihet ende nëse dy presidentët do të zhvillojnë ndonjë takim, marrë parasysh zhvillimet e fundit rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe anulimit të Samitit të Parisit.

Njoftimin se Thaçi do të udhëtojë për në Bjellorusi e ka lëshaur zyra e tij, duke treguar se atje do të marrë pjesë me ftesë të Kreut të Komitetit Olimpik Evropian, Janez Kocijancic.

“Me ftesë të Kryetarit të Komitetit Olimpik Evropian, Janez Kocijancic, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Minsk të Bjellorusisë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndër të tjera në njoftim përmendet edhe fakti se në Minsk do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Evropa.

 “Presidenti Thaçi, bashkë me shumë përfaqësues të shteteve evropiane, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Evropiane “Minsk 2019””, përfundon njoftimi.

Hera e fundit kur Thaçi dhe Vuçiq janë gjendur përballë njëri tjetrit, ka qenë Forumi ‘GlobSec’ i cili u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë.

 Më herët ata ishin takuar edhe në Samitin e Berlinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat