Gjermania dhe Franca vazhdojnë bisedimet me Kosovën dhe Serbinë - Bota Sot
Gjermania dhe Franca vazhdojnë bisedimet me Kosovën dhe Serbinë

Aktuale

Gjermania dhe Franca vazhdojnë bisedimet me Kosovën dhe Serbinë

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 12:39
Merkel dhe Macron

Javën që lamë pas u bë e ditur përfundimisht se takimi i Parisit i planifikuar të mbahet më 1 korrik të këtij viti, nuk do të mbahet. Mbajtja e këtij takimi ishte caktuar qysh më 29 prill, në ditën kur ishte mbajtur Samiti i Berlinit.

Ky takim i cili pritej që t’i bënte bashkë palën kosovare dhe atë serbe dhe që konsiderohej si një tentativë për të riaktivizuar procesin e dialogut i cili tash e sa kohë është “ngrirë”, u shty për një afat të pacaktuar.

Se a pritet të mbahet ky takim në ndonjë datë tjetër, ende nuk është bërë e ditur. Në një përgjigje nga zyra e kancelares gjermane, kanë thënë se bisedimet përgatitore të mëtejshme janë të nevojshme.

Po ashtu nga Qeveria Federale e kancelares gjermane Angela Merkel, nuk kanë dhënë detaje se cilat ishin arsyet kyçe që quan në anulimin e këtij takimi.

“Mund të konfirmojmë se takimi i njoftuar për 1 korrik është shtyrë. Bisedimet e mëtejshme përgatitore do të jenë të nevojshme”, thuhet në përgjigjen e zyrës federale gjermane.

Ata më tej kanë theksuar se Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të jetë në kontakt me Kosovën dhe Serbinë.

“Megjithatë, Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të mbesin në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë”, thuhet më tej në përgjigje.

Dështimi i këtij takimi nxiti edhe përplasje mes spektrit politik në Kosovë.

Ishte presidenti Hashim Thaçi i cili përmes një statusi në Facebook tha se ” vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën”.

Me të njëjtën formë u kundërpërgjigj edhe kryeministri Ramush Haradinaj i cili shkruajti se “ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë”, si dhe “dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madhe”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...