Peci: Ministri i Jashtëm spanjoll për ta ndërmjetësuar dialogun, duhet t’i ndryshojë qëndrimet

Aktuale

Peci: Ministri i Jashtëm spanjoll për ta ndërmjetësuar dialogun, duhet t’i ndryshojë qëndrimet

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 14:57
Ish diplomati dhe drejtori i Institutit Kipred, Lulzim Peci

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Joseph Borrell Fontelles, është nominuar nga Samiti i jashtëzakonshëm Evropian, në pozitën e përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme.

Fontelles do të zëvendësojë shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e cila është marrë drejtpërdrejt me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Ai ka prejardhje nga Spanja dhe duke e ditur që ky vend i përket një grupi të vendeve të BE-së, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, është vënë në dilemë çështja e procesit të dialogut.

Ish diplomati dhe drejtori i Institutit Kipred, Lulzim Peci, ka thënë se nëse ministri Borrell vije në pozitën për të cilën është nominuar, do të jetë në një situatë jo fort të përshtatshme.

Sipas tij, ai duhet t’i ndryshojë qëndrimet e veta për ta paraqitur balancin që ekziston në BE.

“Nuk do të vështirësohet procesi i dialogut nëse Fontelles vije në pozitën e përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme në BE. Por, ministri Borello do të jetë në një situatë jo fort komfortabile, meqenëse ka qenë deri më tani një kundërshtar mjaft i fortë i pavarësisë së Kosovës. Për me qenë në gjendje që të ndërmjetësoj në këtë dialog në të cilin ai nuk do të jetë vetëm por, do të jetë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai do të duhet shumë t’i ndryshojë qëndrimet e veta. Ai do të duhet ta paraqes atë balancin e vërtetë i cili ekziston në BE, e ky balanc është që 23 vende e njohin Kosovën ndërsa pesë nuk e njohin”, ka thënë ai.

Ndër të tjera Peci ka theksuar se ardhja e Fontelles në këtë pozitë mund të ketë ndikim edhe në moderimin e politikës spanjolle karshi Kosovës.

“Mendoj që kjo mund të ketë ndikim edhe në moderimin e politikës spanjolle ndaj Kosovës, dhe kur dihet që procesi i këtij dialogu është që të përfundoj me njohjen e dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë. Por, nuk do të reflektohet politika spanjolle kurrsesi tek procesi i dialogut”, është shprehur ai.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka kohë që është ndërprerë.

Ndërsa ditë më parë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetë është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat