A e ka Kosova emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit, tregon Prokuroria Speciale

Aktuale

A e ka Kosova emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit, tregon Prokuroria Speciale

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 07:07
ilustrim

Kanë kaluar një vit e gjysmë që kur lider i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq ishte vrarë para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.

Rasti ishte marrë në dorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e në fund të viti 2018 pati edhe arrestime.

Por, në pranga nuk përfundoi i dyshuari kryesor, njëherit i cilësuari si ‘bos’ i krimit në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojiçiq.

Lidhur me këtë rast, prokurori Speciale në Kosovë thonë se ende nuk kanë prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë, ndërsa në Serbi thonë se tashmë e kanë edhe emrin e vrasësit.

Prokurori Special, Syl Hoxha, në një prononcim ka thënë se janë duke vazhduar hetimet, dhe se ende nuk ka prova të mjaftueshme për aktakuzë.

“Ende nuk ka asgjë të re, ne jemi duke zhvilluar hetimet, jemi duke marr veprimet e nevojshme procedurale, kjo është e tëra. Ende nuk ka aktakuzë nuk i kemi ngrit, jemi ende në mbledhjen e të gjitha provat për aktakuzë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë punuar për zbardhjen e vrasjes së Ivanoniqit.

“Ajo çka mund të them është se Institucionet e Republikës së Kosovës kanë punuar në vazhdimësi për zbardhjen e asaj se çfarë ka ndodhur me vrasjen e Oliver Ivanoviq dhe kush janë atentatorët që e kanë kryer këtë vrasje, prandaj ne si institucione kemi punuar në vazhdimësi dhe ende nuk kemi ardhur në përfundim të hetimeve, është çështje e Prokurorisë, është çështje e hetuesve policor që ta bëjnë punën e tyre që në vazhdimësi kanë pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh”, ka thënë Tahiri.

Tahiri tutje ka thënë se njerëzit që janë kërkuar nga drejtësia kosovare që të hidhen para drejtësisë aktualisht po strehohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, siç është rasti i Milan Radojçiq

“Por ajo çka mund të them është që njerëzit që janë kërkuar nga drejtësia në Kosovë që të hidhen para drejtësisë, ata aktualisht strehohen nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq siç është Milan Radojçiq, janë kërkuar nga drejtësia kosovare që të sillen në Republikën e Kosovës që të japin dëshmimit e tyre, ata tashme janë në arrati dhe mbahen në Serbi, nën strehimin e presidentit serb”, ka theksuar Tahiri.

Ministri i Drejtësisë ka thënë po ashtu se Serbia nuk është duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës që nga momenti kur janë përmendur këta emra dhe tani siç thotë ai , gjithçka është bllokuar nga ana e tyre.

“Pra Serbia nuk ka bashkëpunuar në këtë drejtim me Republikën e Kosovës që vlen të theksohet, kanë qenë bashkëpunues deri kur kemi ardhur te këta emra, kur kemi ardh të këta emra gjithçka është bllokuar nga ana e tyre. Prandaj mendoj që Serbia është përgjegjëse dhe duhet të bashkëpunoj me Kosovën që të jap informacione, ato që i kemi kërkuar rreth vrasjes së Oliver Ivanoviq”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe e ka emrin e vrasësit të ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Vuçiq në një konferencë për medie ka thënë se shteti i tij është duke e hetuar me seriozitet vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe se sipas tij, pala serbe mendon se ai ka emrin e vrasësit, derisa ka shtuar se pala kosovare nuk e ka idenë se kush e vrau Oliver Ivanoviqin, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi duk punuar seriozisht në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit dhe mendojmë se e kemi emrin e vrasësit, pra autorit të kësaj vrasje. Pala kosovare nuk e ka këtë emër dhe nuk kanë të dhëna mbi këtë vrasje. Ata (pala kosovare), janë duke kryer hetimet politike për këtë vrasje dhe e vetmja dëshirë e tyre është që t’i fajësojnë serbët për diçka dhe ata nuk e dinë se çfarë do të bëjnë”, deklaroi Vuçiq.

Oliver Ivanoviqi është vrarë më 16 janar të viti 2018. Jo larg nga vendi i ngjarjes, ishte gjetur një makinë e djegur e tipit “Opel Astra”, me të cilën supozohej se vrasësi ishte larguar dhe më pas ia kishte vënë zjarrin asaj, për t’i mbuluar gjurmët.

Në nëntor të viti 2018 Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri kishte arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa i dyshuari tjetër, Milan Radojçiq i cili tashmë ndodhet në arrati, nuk ishte gjetur nga Policia e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat