Deputeti Driton Selmanaj në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se zgjedhjet për kryetar të LDK-së mund të mbahen pas 3 javësh, por thotë se ende nuk e di se kush do të jetë kandidat.
“Jemi në fazën finale dhe nuk e di kush do të jetë kryetari im. Për mua kjo është vlerë e kësaj partie. Sot 3 javë mund të jemi në zgjedhje për kryetar, dhe unë ende s’e di kush do të jetë kandidat. Në kohën e garës mes zotëri Dacit dhe zotëri Sejdiut, koha tregoi që delegatët kanë bërë zgjedhjen e duhur. Edhe në kohën kur është zgjedhur Mustafa, mendoj se është bërë zgjedhja e duhur. Prapë besoj se edhe kësaj radhe, zgjedhja do të jetë më e mira për LDK-në”, tha deputeti i LDK-së.
Ai ka thënë se përveç Isa Mustafës, Lutfi Hazirit, Agim Veliut e Vjosa Osmani, mund të ketë edhe kandidatë tjerë në këtë garë.
Sipas tij, edhe nëse del vetëm një kandidat, nuk mund të quhet proces jo-demokratik pasi, siç tha ai, “pse të dalë një kundërkandidat nëse një kandidat tjetër e ka mbështetjen e shumicës”, ndonëse tha se nuk beson që do të jetë vetëm një kandidat.