Latifaj: Nëse Prokuroria ka fakte për mua le t’i dërgon në Gjykatë

Aktuale

Latifaj: Nëse Prokuroria ka fakte për mua le t’i dërgon në Gjykatë

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 14:17
Pamje nga takimi

Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala në vazhdën e intervistimit, sot intervistoi edhe ish ushtruesi i detyrës së kryeshf PTK njëherësh edhe ish-drejtor Teknik në Telekom, Mehdi Latifaj lidhur me dyshimet për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin në Telekom.

Nën betim Mehdi Latifaj para anëtarëve të komisionit hetimor, theksoi se Z Mobile në vitin 2014, si Dardafon.net, kishte kërkuar nga PTK, shfrytëzimin e shërbimit 3G dhe 4G pa kushte, por sipas tij, një kërkesë e tillë nuk ishte në marrëveshjen mes dy operatorëve Telekom dhe Z Mobile.

Latifaj shtoi se operatori virtual që ka lidhur kontratë me Telekomin, kishte kërkuar që mos të ndodhte asnjë avancim komercial derisa dy operatorët të merren vesh për shërbimet 3G dhe 4G.

"Zmobile ka kërkuar që mos të ndodhte asnjë avancim në aspektin komercial deri sa dy operatorët Vala dhe Zmobile të merren vesh për shërbimet 3g dhe 4g. Zmobile në bazë të të gjithë deklaratave duket se e kanë llogaritë veten se ata janë bashkëpronarë të Telekomit", tha Latifaj.

Ndërsa, i pyetur nga deputeti Armend Zemaj për kontratatë Solarium dhe Peikosjanë, si dhe për procesin e arbitrazhit, Larifaj u përgjigj shkurt se këto 2 kontrata ndërlidhen me departamentin ose me drejtorinë e marketingu, por tha se në periudha vjetore marketingu ishte paguar 3 milionë euro.

Ndërsa për arbitrazh, Latifaj theksoi se ky proces ka qenë i mjegulluar.

Po ashtu, ish kryeshefi i PTK, në Komisionin hetimor u sqarua edhe për aferën “Sim to Sim”, e cila sipas tij, e ka dëmtu shumë Monaco Telekomin, me ç'rast për këtë aferë ka pas edhe të arrestuar.

Latifaj tha se një nga të arrestuarit për këtë aferë ka qenë edhe vëllau i tij, i cili sipas Latifajt u arrestua pa faj dhe pa të drejtë.

"Nëse prokurori Lumezi ka fakte që unë dhe vëllau im jemi të përfshirë në aferën Sim to Sim, le ta dërgon çështjen në Gjykatë", theksoi Latifaj.

Ai po ashtu tha gjatë periudhës së menaxhimit të PTK nga ish kryeshefi Shyqri Haxha, ishte shkarkuar pasi nuk ishin implementuar projektet e tij.

Për kërkesa të tilla si ndërmjetësues, Latifaj tha se Haxha e ka dërguar Elvis Pistën.

"Në nëntor 2008 në zyrën time vjen i ndjeri Elvis Pista i cili kërkon prej meje me inicu një projekt në vlerën 5-6 milionë eurosh për infrastrukturën telekomunikuese. Unë e kam dorëzu projektin duke iu thënë se tregoni nëse kemi nevojë për një projekt të tillë. Komisioni ka vlerësu që ne vërtetë nuk kemi nevojë për një projekt të tillë dhe unë në atë kohë këtë ia kam përcjellë Elvis Pistës", tha Latifaj.

Derisa ish-drejtori teknik i Telekomit, ishte duke u pyetur për kontratat e antenave, pati përplasje nga deputeti Milaim Zeka dhe kolegia e tij Blera Deliu-Kodra ndaj anëtares së komisionit Albulena Haxhiu se po iu merr kohë të tjerëve në komentet e saja të gjata pa pasur pyetje.

Në vazhdim pas pauzes një orëshe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala pritet të intervistoj edhe zyrtarin ligjor, Sabaudin Ramaxhiku dhe menaxherin e Produkteve, Nysret Jashanica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat