Haradinaj e quan krim vendimin për mosakreditim të tri universiteteve publike - Bota Sot
Haradinaj e quan krim vendimin për mosakreditim të tri universiteteve publike

Aktuale

Haradinaj e quan krim vendimin për mosakreditim të tri universiteteve publike

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 12:28
Ramush Haradinaj

Vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që ua pamundëson tri universiteteve publike, atij të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës, që të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe një herë e ka quajtur të papranueshëm.

Haradinaj tha se është e papranueshme që shumë maturantë të këtyre rrethinave e që i takojnë familjeve që nuk kanë kushte financiare të mbesin pa u regjistruar në universitet.

Haradinaj: Është i papranueshëm ky fakt si kryetar Qeverie

“Për kriteret e akreditimit të programeve garant ata janë profesionistë dhe i dinë, por për mua si kryeministër është i papranueshëm fakti që të rinjtë, maturantët e rrethinës së Pejës, të rrethinës së Prizrenit, të rrethinës së Mitrovicës, të familjeve që janë të varfra ose mesatare mbesin pa u regjistrua në këtë vit. Pra, është i papranueshëm ky fakt si kryetar Qeverie. Si zgjidhet ky problem, duhet me u angazhua, por nuk e pranoj faktin që dikush i jep vetes të drejtë maturantët e familjeve të varfra dhe mesatare që nuk i kanë kushtet prindërit e tyre që t’i sjellin për studime në Prishtinë se rritet kostoja, trefishohet kostoja e studimit, me i lënë në rrugë. Nëse dikush ka kujtuar që guxon me e bë këtë ka gabuar, në emër të çfarëdo profesionalizmi, kjo ka merituar qasje tjetër, mënyrë tjetër të zgjidhjes. Unë nuk jam prej Prishtinës, unë e di çka do të thotë për një fëmijë të Shalës, nës e atij tash i duhet të vijë në Prishtinë student, këto kushte të papunësisë, të pamundësive. Nuk është në rregull kjo”, tha ai.

Kreu i Qeverisë duke iu përgjigjur të gjithë atyre që thonë se është ngutur me deklarata, ai tha se është vonuar pa e ngritur zërin në disa krime, pasi sipas tij ky vendim i KShC-së është një lloj krimi.

Haradinaj: Jam vonuar pak pa e ngritur zërin në disa krime

“Nëse këta që po më thonë mua po ngutesh kryeministër, po iu tregoj atyre që jam vonuar pak pa e ngritur zërin në disa krime, ky është një lloj krimi që është ka ndodh në këtë vendin tonë, kur dikush ka arrogancë me iu thënë krejt këtyre fëmijëve, ndoshta kanë edhe dallavere me universitete private e nuk kanë bërë mjaft të regjistruar në universitete private, e në emër të cilësisë tash i mshelim këto shkoni në privat. Po nuk munden se ata nuk janë fëmijë të familjeve të pasura, ka edhe të atillë që shkojnë në privat, në të shtrenjtë dhe le të shkojnë, po nuk mundesh pa regjistrua kështu siç ka ndodhur. Edhe kushdo që e ka bërë këtë gabim është dhe në këtë Kosovë nuk punohet kështu, nuk jemi krejt mercenar në këtë vend. E dimë pastaj që kanë me na kritikua se është institucion i pavarur, është cilësia, por po i shohim po ashtu çfarë mafie janë nëpër plot këto institucione të pavarura që i ka vendi që nuk po interesohen për interesin e fëmijëve të këtij vendi. Po vërejtjet për cilësi, po kritikat, po kërkesat për përmirësim, por nuk mundës ata fëmijë me i lënë jashtë”, u shpreh ai.

Këto komente kreu i shtetit i ka bërë pas takimit që ka pasur me një delegacion nga Britania e Madhe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...