Ish-mjeku i UÇK-së i reagon Veselit që e quajti “fosil” Buxhovin: Si nuk e di ky zotni se... - Bota Sot
Ish-mjeku i UÇK-së i reagon Veselit që e quajti “fosil” Buxhovin: Si nuk e di ky zotni se...

Aktuale

Ish-mjeku i UÇK-së i reagon Veselit që e quajti “fosil” Buxhovin: Si nuk e di ky zotni se...

Nga: A.Zh Më: 17 korrik 2019 Në ora: 09:58
Ish-mjeku i UÇK-së Liri Loshi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, e ka quajtur “fosil të mbetur” historianin Jusuf Buxhovi, teksa ka komentuar për deklaratën e tij se “UÇK-ja ka qenë e drejtë, por nuk ka qenë e pastër”.

Veseli në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se Buxhovi nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike dhe vrasjeve të pasluftës.

Kundër Veselit, sot ka reaguar ish-mjeku i UÇK-së Liri Loshi, i cili ka akuzuar kryeparlamentarin për “ngufatje të mendimit të lirë”, përcjell Bota sot.

Sipas tij, Veseli është dashur ta relativizonte deklaratën kërcënuese të një zyrtari tjetër të partisë së tij kundër Buxhovit e jo të fliste edhe vet me gjuhë të ngjashme në Uashington.

Loshi më tutje ka komentuar edhe deklaratën e Veselit, se “do të jetë i pamëshirshëm ndaj atyre që kanë thyer ligjin gjatë luftës dhe pas lufte”.

Ai ka pyetur se si mundet Veseli të jetë i pamëshirshëm, kur ai nuk është prokuror dhe as gjykatës.

Reagimi i plotë i Loshit:

Kadri Veseli në Amerikë deklaron se Jusuf Buxhovi është “fosil” pse ka folur për vrasjet politike! Si nuk e di ky zotni se një ton i tillë nënkuptohet si ngufatje e mendimit të lirë dhe merret shumë seriozisht në Amerikë?!

Tjetër gjë është të flasësh në Kosovë e krejt tjetër gjë të flasësh në Amerikë. Ai kishte një rast të mirë dhe duhej ta relativizonte deklatarën kërcënuese të një zyrtari tjetër të partisë së tij kundër Jusuf Buxhovit e jo të fliste edhe vetë me gjuhë të ngjashme në Washington!

Një intelektual guxon edhe të gabojë kur ngre shqetësimet e veta në demokraci, por politikani që ka pushtetin në duart e tij nuk guxon të gabojë ndaj qytetarit të tij.

Pastaj, ai deklaroi se do të jetë i pamëshirshëm ndaj atyre që kanë thyer ligjin gjatë luftës dhe pas lufte! Kush është ky që të jetë i pamëshirshëm?!

A është Kosova vend autoritar ku i gjithë pushteti përfshirë pra edhe drejtësinë është i koncentruar në duart e një individi, si në Korenë Veriore?!

Si ka kuptim që Kadri Veseli të jetë i pamëshirshëm, kur ai nuk është prokuror, as gjykatës?! Mos do të thotë kjo se ai ua përcakton lëndën prokurorëve në Kosovë? Apo, mos kjo thjesht, do të thotë se Kadri Veseli flet e nuk di as vetë çka thotë?!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...