Gjermania në krye të Komisionit Evropian, lajm i mirë për Kosovën

Aktuale

Gjermania në krye të Komisionit Evropian, lajm i mirë për Kosovën

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 00:04
Ursula Von der Leyen dhe Angela Merkel

Ish-ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula Von der Leyen është presidentja e re e Komisionit Evrpopian.

Për ardhjen e saj në krye të Komisionit Evropian ajo morri 383 vota pro, 327 kundër dhe 22 abstenime – duke u bërë kështu gruaja e parë që zgjidhet në këtë post.

Der Leyen ishte pjesë e qeverisë së kancelares gjermane Angela Merkel dhe duke pasur parasysh se Gjermania është shtet mik i Kosovës, ka zëra optimistë se kjo mund t’i ndihmojë proceseve integruese të Kosovës.

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha tha se ky është një lajm i mirë për BE-në dhe vendet aspirantë për integrim në BE, veçanërisht për Ballkanin Perëndimor.

“Kryesimi i Komisionit Evropian nga gruaja e parë, dr. Ursula Von der Leyen, është lajm i mirë për BE-në dhe tërë vendet aspirantë për integrim, në veçanti për Ballkanin perëndimor”, tha Hoxha.

Ajo më tutje vazhdoi duke thënë se Der Leyen është një grua e guximshme, me vizion, përvojë e konsistencë.

“Ajo është për gati dy dekada, në krye të disa proceseve të rëndësishme në Gjermani dhe guximi i saj, ka dëshmuar vizion, përvojë dhe konsistencë”, tha Hoxha.

Ndër të tjera, ministrja Hoxha ka lënë të kuptohet se ardhja në krye të KE-së e diplomates gjermane i ndihmon procesit integrues.

“Përgjegjësitë e deritashme të Kryetares së tashme të KE-së, na japin shumë shpresë për zgjidhjen e sfidave për fuqizimin e frymës evropiane dhe procesin integrues për Ballkanin perëndimor. Gjithsesi, emërim i shumëpritur dhe lajm i mirë për BE-në dhe vendet aspirantë për procesin integrues”, tha Hoxha.

Lajm të mirë emërimin e Der Leyen në krye të KE-së e sheh edhe njohësi i proceseve integruese Avni Mazreku.

Ai është shprehur se duke e ditur që Der Leyen ka qenë ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë dhe i ka takuar kabinetit të Merkelit, kjo nënkupton se ajo është mirë e informuar për rrethanat dhe nënkupton shtytje më progresive në raport me interesat e Kosovës.

“Një personalitet siç është ish-ministrja e mbrojtjes e Gjermanisë, që i ka takuar një kabineti qeveritar, pra kabinetit të Merkelit që ka qenë kabineti më aktiv në raport me çështjen e Kosovës, nënkupton që është mirë e informuar me këto rrethana dhe nënkupton një shtytje më progresive në raport me interesat që ka vendi jonë”, tha Mazreku.

Sipas Mazrekut, edhe pse Komisioni Evropian nuk i merr vendimet politike – aty ku Kosova ngec, ai tha se KE-ja vazhdon të jetë motori kryesor që mund t’i shtyjë përpara proceset.

“Komisioni Evropian nuk është ai organ i cili i merr vendimet politike që Kosova i ka problemin kryesor, por Komisioni Evropian vazhdon të jetë motori kryesor e cila në fakt mund t’i ndihmoj proceset dhe mund t’i shtyjë përpara duke e pasur një presidente siç është Ursula von der Leyen”, tha Mazreku për lajmin.

Ndërkohë, gjatë fjalës së saj të mbajtur përpara eurodeputetëve, der Leyen ka theksuar se do të jetë e angazhuar për luftën kundër ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e të drejtave të grave, arritjen e një marrëveshjeje me Britaninë e Madhe dhe një reformë gjithëpërfshirëse sa i përket mbrojtjes së kufijve të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat