Kombinimet ‘e pamundura’ për koalicionin e ri qeverisës - Bota Sot
Kombinimet ‘e pamundura’ për koalicionin e ri qeverisës

Aktuale

Kombinimet ‘e pamundura’ për koalicionin e ri qeverisës

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 19:30
Ilustrim

Me rënien e qeverisë Haradinaj është hapur rruga që presidenti Thaçi të mandatojë një kandidatë të ri për kryeministër.

Mandati mundet me u bë pa shku në zgjedhje të reja. Por, me deklarimin e kryeministrit në dorëheqje që AAK-ja preferon të shkohet në zgjedhje të reja dhe kërkesat nga dy partitë më të mëdha opozitare për zgjedhje të reja, gjasat për qeveri të re pa shkuar fare në zgjedhje minimizohen.

Koalicioni qeverisës që deri tash kishte në krye Ramush Haradinajn, përbëhet nga  partitë politike PDK-AAK-Nisma. Formimi i qeverisë Haradinaj ishte bërë edhe me votat e deputetëve të Listës Serbe si dhe votën e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova.

Por, cilat do ishin opsionet e mundshme për formimin e qeverisë së re, sipas përbërjes aktuale të Kuvendit të Kosovës?

AAK-ja aktualisht ka 12 deputetë. Kurse, VV-ja dhe LDK-ja së bashku kanë 44 deputetë. Me 56 deputetët që kërkojnë zgjedhje të reja, formimi i qeverisë së re bëhet i pamundur pa votat e 10 deputetëve të Listës Serbe.

Edhe në supozimin që PSD-ja do të hyjë në koalicion me PDK-në dhe Nismen Socialdemokrate nuk mund të formohet qeveria pa votat e deputetëve të Listës Serbe. PDK me 22 vende ulëse në Kuvend, në ndonjë koalicion të mundshëm me Nismën Socialdemokrate dhe PSD-në, i arrijnë vetëm 42 vota.

I vetmi opsion i hapur për formimin e qeverisë mbetet që koalicionit aktual t’i bashkohet PSD-ja me 12 deputetë.

Nëse Haradinaj ndërron mendje, koalicioni PAN së bashku me PSD-në, AKR-në, SLS-në dhe deputetët e grupit 6+ arrijnë numër të mjaftueshëm për formimin e qeverisë, apo 63 vota. Një qeveri e tillë do të formohej pa votat e Listës Serbe.

Opsion për formimin e qeverisë është nëse LDK-ja, VV-ja dhe AAK-ja vendosin të formojnë qeverinë së bashku me deputetet e grupit 6+ pasi së bashku do të kishin 62 vota. E njëjta gjendje përkon edhe në një bashkëpunim të mundshëm mes LDK-së, VV-së dhe PSD-së, që grumbullojnë vetëm 56 vota. Por ky opsion është pak i mundshëm pas interpretimit të Gjykatës Kushtetute për mandatarin e ri që duhet të vije nga koalicioni që ka fituar numrin më të madh të deputetëve.

Edhe bashkë udhëheqësit e mëhershëm qeveritar LDK dhe PDK, aktualisht në Kuvendin e Kosovës kanë 47 deputetë.

10 vendet e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës që kanë qenë vendimtare për qeverinë e kaluar, po del të jenë të tilla edhe për krijimin e ekzekutivit të ri, opsion të cilin e kanë kundërshtuar në vazhdimësi partitë opozitarë në vend.

Ndërkaq, Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 95 për zgjedhjen e Qeverisë e përcakton se “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në aktin më të lartë juridik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ofroi dorëheqjen e tij pasditen e sotme, pas mbledhjes së Qeverisë, me motiv ftesën e Gjykatës Speciale ndaj tij për intervistimi në cilësinë e të dyshuarit, përderisa ende nuk dihet nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndonëse qeveria konsiderohet e rënë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...