MPMS fillon zbatimin e Ligjit për ish-punëtorët e arsimit të viteve ‘90, ja çfarë kërkohet prej dokumenteve

Aktuale

MPMS fillon zbatimin e Ligjit për ish-punëtorët e arsimit të viteve ‘90, ja çfarë kërkohet prej dokumenteve

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 15:35
Ilustrim

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar të gjithë ish-punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që kanë punuar për periudhën 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, se nga data 15.08.2019 fillon zbatimin e Ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, andaj me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, ata janë njoftuar se kërkesat për kompensim shtesë mund të dorëzohen në zyrat më të afërta të pensioneve.

“Personat që paraqesin kërkesat prej datës 15.08.2019 deri më 31.11.2019, aq sa është i hapur afati, do ta realizojnë të drejtën për kompensimin në mënyrë retroaktive, që nënkupton nga data e hyrjes në fuqi të ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, (prill 2019)”, thuhet në njoftimin e MPMS-së e cila drejtohet nga ministri Skender Reçica.

Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten këto dokumente:

• Kopja e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës;
• Ekstrakti i lindjes;
• Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar);
• Faturën e tatimit në pronë;
• Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës;
• Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontributiv.

MPMS u bënë apel të gjithë ish-punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, që t’u përmbahen afateve për parashtrim të kërkesës, derisa formularin dhe udhëzimet e nevojshme mund të merren në të gjitha Zyrat e Pensioneve.

Mos parashtrimi i kërkesës, përkatësisht mos respektimi i afateve për parashtrim të kërkesës, mbartë pas vetes pasojat e mos pagesës së retroaktivitetit të pensionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat