13 skandalet që e cilësuan Haradinajn si legjendë hajnie

Aktuale

13 skandalet që e cilësuan Haradinajn si legjendë hajnie

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 19:14
Ramush Haradinaj, Bezi Osman, Pal Lekaj dhe Halil Matoshi

A thua sa do t'i kushtojnë Kosovës, skandalet e kryeministrit të "sporteve të rënda" Ramush Haradinaj, ministrit milioner Pal Lekaj, këshilltarit Halil Matoshi dhe asistentes Bezi Osmani?

1. Haradinaj kundërligjshëm ua fali rreth 60 milionë euro kompanive mashtruese

Për 20 vjet prodhuesit e ujit në Kosovë e mashtruan shtetin, duke mos paguar asnjë cent për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave dhe shfrytëzimin e inerteve. Borxhet e tyre ndaj shtetit ishin afër 60 milionë euro. Por, ish-kryeministri Haradinaj, me një vendim të ngutshëm ua kishte falë borxhin, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës përreth 60 milionë euro. Opozita e kishte kritikuar Haradinajn për korrupsion rreth këtij vendimi.

Flitet se nga këto 60 milion, një përqindje të majme e kanë marrë qeveritarët nga kompanitë që u janë falur borxhet, e pakta 20%.

2. Haradinaj kundërligjshëm ia rriti vetës pagën nga 1300 në 2950 euro

Ish-kryeministri Haradinaj sapo kishte marrë udhëheqjen e Qeverisë, ndër vendimet e para që kishte marrë ishte rritja e pagës së vet. Haradinaj nga 1300 euro, aq sa e kishin krejt kryeministrat e mëhershëm, e kishte rritur pagën e tij në 2950 euro, duke shkelur ligjet në fuqi.

3. Zemërgjerësia e kryeministrit i kushton buxhetit edhe 28 milionë euro të tjera

Ish-kryeministri Haradinaj pasi kishte negociuar ditë e natë me banorët e Hadës dhe Shipitullës, në mënyrë të paprecedent kishte rritur çmimin e prapësimeve nga 4 në 28 milionë euro. Me këtë vendim, siç e ka quajtur zemërgjerë, që në ditët e para të punës, Haradinaj kishte ngritur koston e shpronësimit të fshatrave Hade dhe Shipitullë, nga 4 milionë euro në afro 28 milionë euro.

4. Fryrja e numrit të veteranëve për 20 vjet i kushton Kosovës 2 miliardë e 400 milionë euro

Ramush Haradinaj nga opozita është fajësuar për fryrjen e numrit të veteranëve të luftës. Madje gjatë procesit të numërimit të tyre, në rajone të ndryshme të Kosovës ishin krijuar edhe zona fiktive, për të manipuluar me shifrat. Opozita ka fajësuar kryesisht ish-kryeministrin Haradinaj dhe zonën e tij të Dukagjinit në luftë, e cila dikur kishte mbetur me rreth 10 ushtarë në front, për rritje të numrit me mijëra dezertorë. Edhe anëtarët e komisionit qeveritar ishin akuzuar për fryrjen e numrit, derisa nga pozita e kryeministrit, Haradinaj e kishte fyer dhe kërcënuar ashpër edhe ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili ishte marrë me rastin dhe nga frika kishte ikur jashtë Kosovës.

Kujtojmë këtu se, për një status veterani janë paguar deri në 3 mijë euro.

5. Haradinaj ia fali 53 milionë euro Bektel & Enkas

Për shkak të vonesave që ishin krijuar për të paguar borxhin ndaj kompanisë amerikano-turke “Bektel&Enka”, qeveria e Ramush Haradinaj ishte dënuar me 53 milionë euro, bazuar në kontratën ndërmjet kësaj kompanie dhe Qeverisë së Kosovës. Opozita kishte kritikuar Haradinajn dhe ministrin e tij Pal Lekaj për korrupsion.

Me gjasë, ky keqpërdorim është bërë me marrëveshje dhe se prej këtij 53 milionëshi një përqindje të majme e kanë fituar vet qeveritarët.

6. Haradinaj kishte ndarë jashtëligjshëm 815 mijë euro për “Let’s do it Kosova”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin kritikuar dhënien e 815 mijë euro për organizatën e joqeveritare “Lets Do It Kosova”, pa procedura dhe standarde të kërkuara. Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2018, kishte evidentuar disa parregullsi, ndër to është evidentuar projekti “Ta pastrojmë Kosovën”, punësime me marrëveshje për shërbime të veçanta, buxheti për grante dhe subvencione.

7. Punësimi i dajave, mbesave, djemve, vajzave, kunatave nëpër ndërmarrje publike

Ndër skandalet më të mëdha të qeverisë së ish-kryeministrit Haradinaj ishte edhe punësimi i familjarëve të tij dhe anëtarëve të AAK-së nëpër ndërmarrje publike. Haradinaj kishte punësuar qindra militantë nëpër institucione e ndërmarrje publike, çka kishte nxitur reagime të ashpra nga diplomatët ndërkombëtarë në Prishtinë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Vetëm në Telekomin e Kosovës është raportuar se janë punësuar më shumë se 100 persona, duke përfshirë familjarë të deputetëve dhe zyrtarëve të tij qeveritarë.

Ky është shkak që po i detyron të rinjtë që ta lëshojnë Kosovën për një jetë më të mirë. Kosova në një të ardhme të afërt rrezikon të mbetet pa kuadro të reja!

8. Skandali korruptiv me Autostradën e Gjilanit

Me të ardhur në pushtet Qeveria Haradinaj, tenderin për ndërtimin e autostradës së Gjilanit e kishin dërguar në rivlerësim dhe më pas ishin ndërruar kompanitë. Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në lidhje me keqpërdorimin e mjeteve të dedikuara për “Autostradën e Gjilanit”. Çmimi i kësaj autostrade ishte llogaritur të jetë 126 milionë euro, ku sipas zyrtarëve të MI-së ajo është ndarë në 8 lote, nga 8 operatorë të ndryshëm ekonomikë.

9. Autostrada e Dukagjinit rreth 1 miliard euro

Ende pa dhënë dorëheqje, ish-kryeministri Haradinaj kishe planifikuar që ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit, kryesisht kah elektorati politik i tij, e cila do të lidhte qytetet e Dukagjinit me njëra-tjetrën. Sipas kalkulimit të Haradinajt, kjo autostradë do t’i kushtonte Kosovës hiq më pak se 1 miliard euro. Ky zotim ishte kritikuar nga të gjithë, pozitë dhe opozitë.

10. Abuzimi me rezervat shtetërore

Haradinaj kishte ndarë miliona euro për aktivitete të ndryshme, si përvjetorë të ndryshëm, për vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, madje edhe për kompani private të afërta me ta, të cilat kishin pësuar nga zjarri dhe faktorët klimatikë. Po ashtu, afër 1 milion euro ia kishte ndarë edhe një shkolle private në Prizren, të quajtur “Loyola”, derisa universitetet tona shtetërore sivjet nuk janë akredituar për shkak të mospërmbushjes së kushteve për funksionim.

Është absurde vetëm kur mendohet fakti se një shkollë private është financuar në këtë mënyrë nga qeveria e Kosovës. Në këtë rast, nuk mund të mos na shfaqen dyshimet për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet pronarit të shkollës në fjalë dhe qeverisë, që kjo e fundit të përfitonte ilegalisht nga ky investim.

11. Qeveria më e madhe në botë

Qeveria Haradinaj do të mbahet në mend edhe si një prej qeverive më të mëdha në botë, për nga numri i ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. Përkundër që Kosova është një prej vendeve më të vogla, gjatë qeverisjes së Haradinaj ajo kishte mbi 100 të emëruar si zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra. Vetë Haradinaj kishte të emëruar gjithsej 33 këshilltarë.

12. Haradinaj pronat shtetërore ia kthej komunave në ditën e dorëheqjes

Haradinaj në ditën e dorëheqjes së tij, pas anulimit të vendimit të parë, kishte marrë vendim sërish për rikthimin e disa pronave shoqërore që ishin nën përkujdesjen e AKP-së, tek komunat e Kosovës, përfshirë këtu siç ishte raportuar më herët edhe tek komunat serbe në veriun e Kosovës. Haradinaj këtë vendim e kishte pështjellë aq keq, duke e bërë të paqartë për publikun, me heqjen e pezullimit sipas vendimit të qeverisë nr. 05/76 të datës 21.11.2018. Për këto resurse shtetërore, tani e tutje mund të vendosin vetë komunat se çfarë do të bëjnë me to, duke rritur kështu mundësitë që ato të gllabërohen nga grupe të ndryshme kriminalo-biznesore të lidhura me politikën.

13. Pushimet luksoze në “Carlton” të St. Moritz

Kryeministri Haradinaj ishte parë duke pushuar në hotelin luksoz “Carlton” në St. Moritz në Zvicër. Ky fshat turistik është më i shtrenjti në botë. Pushimet familjare të Haradinajt kishin zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve kishte arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë hotel kishte kushtuar një mijë e 50 franga. Nuk dihet saktësisht se sa kishte paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, rezultonte se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga. Zyra e Kryeministrit nuk kishin pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet.

Pra, Ramush Haradinaj me t'u zgjedhur në postin e kryeministrit, kishte vendosur që pushimet t`i kalonte në vendin më të shtrenjtë në botë, St. Moritz. Pikërisht në këtë vend ku kishte pushuar Cari i Rusisë, pushoi edhe “Cari” i Kosovës, Ramush Haradinaj me familjen e tij. Sigurisht, se këtë pushim nuk mund ta ketë marrë dhuratë nga dikush, pasi bëhet fjalë për çmime marramendëse.

Në këtë hotel pushojnë miliarderët. Shtrohet pyetja si u bë Ramush Haradinaj kaq i pasur?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat