Bajrami: Posti i kryeministrit s’duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK-së e VV-së - Bota Sot
Bajrami: Posti i kryeministrit s’duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK-së e VV-së

Aktuale

Bajrami: Posti i kryeministrit s’duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK-së e VV-së

Më: 14 gusht 2019 Në ora: 00:15
Hykmete Bajrami

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo parti preferon të hyjë e vetme në zgjedhje, por një gjë e tillë ka shtuar se varet edhe nga sjelljet e partive kundërshtare.

Sipas saj, nëse bëhen të tjerët bashkë, edhe LDK-ja do të detyrohet të reflektojë për një koalicion parazgjedhor.

Pas afrimeve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, Bajrami ka thënë se kjo është e vetmja pikë që po shihet si shpresë nga qytetarët.

“Është kohë zgjedhjesh. LDK sapo ka dalë nga procesi i brendshëm. Isa Mustafa u rikonfirmua si kryetar. Jemi në kohë zgjedhjesh, takimi i sotëm mes Mustafës dhe kryetarit të VV-së Albin Kurtit ka të bëjë pikërisht për të uruar Mustafën për rikonfirmim të mandatit të ri në partinë më të madhe dhe mundësitë e bashkëpunimit. Ne kemi bë pothuajse të qarta preferencat tona. Preferojmë që të gjitha partitë e mëdha të shkojnë veç e veç. Do të ishte procesi më legjitim i mundshëm nëse partitë e mëdha do të mateshin. Do të dihej përfundimisht kë do ta donin qytetarët në krye të qeverisë e do të ishte më e lehtë për koalicione paszgjedhore”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

“Preferencat tona janë që të shkojmë vetë. Po na nxjerrin sondazhet fituese, por s’jemi komodë, jemi vazhdimisht në terren. Por s’varet gjithçka nga preferencat, por edhe nga sjellja e oponentëve. Nëse bashkohen 24-25 parti kundër nesh, ne duhet të reflektojmë për një koalicion”, ka deklaruar më tej ajo.

Bajrami ka shtuar se qeveria e koalicionit PAN “ka qenë pa legjitimitet sepse prej 22 ministrive vetëm dy i takuan partisë së kryeministrit”.

Sa i përket kandidatit për kryeministër nga kjo parti, Bajrami ka thënë se kandidati duhet të jetë dikush që reflekton më së miri qëndrimet e LDK-së dhe që e mban të unifikuar partinë.

Për reagimet e PDK-së pas takimit të Mustafës me Kurtin duke ua kujtuar përplasjet e mëhershme, Bajrami ka thënë se është pikërisht PDK-ja ajo që ka pasur sjelljen më të keqe ndaj partive tjera politike.

“Kjo vjen nga frika nga humbja tepër e thellë që po i pret. S’duhet të çuditen për sjelljet e oponentëve politikë ndaj LDK-së e Mustafës, sepse nëse dikush mban stafetën për sjellje jo të drejtë ndaj LDK-së është PDK-ja. Kanë mbetur pa miq në skenën politike. Sa ka pas debate së fundmi, të gjitha partitë, PDK-së i vendosin vijë të kuqe, sepse s’dinë të respektojnë marrëveshje e kontrata. Janë ata pikërisht që prej vitit 2007 sa udhëheqin këtë vend e ka kapluar krimi e korrupsioni. Është ofendim që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli të thotë para qytetarëve se do të çrrënjosë krimin kur është partia më e kriminalizuar”, ka deklaruar Bajrami.

E pyetur a e ka falur Mustafa Vetëvendosjen për sjelljet në të kaluarën, Bajrami ka thënë se “Mustafa po e tejkalon vetveten për hir të Kosovës, partisë dhe qytetarëve”.

“Po shohim thirrje nga gjithë qytetarët që një koalicion i shpresës do të ishte një qeveri e opozitës së sotme. Të gjithë presin në fakt që partitë në PAN-koalicionin të jenë në opozitë. Ai po i tejkalon të gjitha për hir të qytetarëve. Akuzat duhet të adresohen te ata që i kanë bërë”, ka shtuar ajo.

Bajrami ka thënë se pozita e kryeministrit nuk duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, ndërsa ka shtuar se LDK-ja është plotësisht kundër një qeverie teknike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...