Grupi Parlamentar i LDK-së: Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorë të rinj

Aktuale

Grupi Parlamentar i LDK-së: Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorë të rinj

Nga: A.M. Më: 21 gusht 2019 Në ora: 18:16
Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për emërimet e kundërligjshme të ambasadorëve, që së fundi i ka bërë Qeveria e dorëhequr.

Sipas LDK-së, me këto veprime, Ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me Kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe Presidentin Thaqi kanë degraduar edhe me tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese.

"Veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik. Krahas saj, Lidhja Demokratike dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit në ikje PDK, AAK, NISMA dhe AKR për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politik një ditë para shpërndarjes së Kuvendit. Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë në të, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politik.

Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së Kryeministrit.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me parimin e meritokracisë", thuhet në reagimin e Grupit të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat