Lufti Haziri dikur e kishte quajtur Vjosa Osmanin “Nusja nga Presheva”. Por kjo e fundit mori tash besimin e LDK-së për t’u nominuar kryeministre e Qeverisë së ardhshme.
Deklarata e Hazirit ishte bërë gjatë kohës së ideve për shkëmbim territoresh me Serbinë.
Por, tash vendi po bëhet gati për zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt , dhe në LDK duket se kanë lënë anash mos pajtimet dhe po bëhen bashkë për të fituar më 6 tetor.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, barrierat me nënkryetarin Lutfi Haziri i quan të tejkaluara.
Ajo shprehet se nuk do të lejojë assesi të krijohen barriera të tilla.
“Unë jam krenare që jam nuse e Preshevës, jam po ashtu krenare që gjatë tërë verës jetoj në komunën e Gjilanit të udhëhequr nga zotëri Haziri. Të gjitha barrierat që i kemi pasur ndërmjet nesh dhe të cilat janë ndërtuar artificialisht janë tejkaluar dhe nuk do të lejojmë assesi që ato të ndodhin apo të ndërtohen sërish”, tha Osmani.