Kurti: Kosova nuk e mbijeton edhe një qeveri të kriminalizuar, na ndihmoni ta çlirojmë vendin

Aktuale

Kurti: Kosova nuk e mbijeton edhe një qeveri të kriminalizuar, na ndihmoni ta çlirojmë vendin

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 00:52
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një debat me politikanin socialdemokrat zviceran, Cedric Wermuth. Ky takim ishte mbajtur para më shumë se 500 shikuesve, shumica prej të cilëve shqiptarë. Shumica e tyre priten në radhë të gjata për të bërë një “selfie” me liderin e Lëvizjes pas takimit. Takimi ishte mbajtur në Aarau.

Aarau është kryeqyteti i kantonit Aargau. Ky kanton në Zvicrën qendrore ka një histori të bujshme. Është vendi nga ku e ka prejardhjen dinastia e Habsburgëve, e cila nga Viena sundoi Europën Qendrore me shekuj. Nga marsi deri në shtator të vitit 1798, në vitin e parë të Republikës Helvetike, Aarau ishte kryeqyteti i parë i Zvicrës.

Në kryeqytetin e kantonit Aargau erdhi të shtunën kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në Kosovë zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 6 tetor. Në Zvicër zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 20 tetor. Albin Kurti dëshiron të bëhet kryeministër. Cédric Wermuth, deputet i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP), dëshiron të zgjidhet deputet – por kësaj radhe në dhomën e vogël të parlamentit, në Ständerat. Parlamenti zviceran përbëhet nga dy dhoma: Nationalrat dhe Ständerat. Kush zgjidhet në Ständerat, ka arritur një nivel të lartë në politikën e Zvicrës, pastaj mund të ëndërrojë apo të jetë kandidat serioz që një ditë të bëhet ministër (Bundesrat). Zvicra i ka vetëm 7 ministra. President nuk ka. Çdo vit një ministër ushtron edhe detyrën e presidentit, përcjell Dialog Plus.

Kurti dhe Wermuth gjenden në fushatë elektorale. Kur vendosën të takohen me shqiptarë (kryesisht përkrahës të Vetëvendosjes) ata e dinin: nuk kemi asgjë për të humbur, vetëm mund të fitojmë: Kurti përkrahjen e njerëzve të diasporës në zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 6 tetor, Wermuth ndonjë votë të shqiptaro-zviceranëve për t’u zgjedhur deputet më 20 tetor. Duhet thënë: çdo votë e shqiptarëve për politikanin socialdemokrat zviceran Cédric Wermuth është investim i mirë politik. Wermuth është aktiv në grupin parlamentar të miqësisë Kosovë-Zvicër, ai angazhohet për integrimin e shpejtë dhe të gjithanshëm të shqiptarëve në Zvicër, ai kërkon që të hiqen barrierat për marrjen e shtetësisë, ai këmbëngulë që gjithnjë e më shumë të huaj të angazhohen në politikën zvicerane, ai kujton shpesh shokët e tij shqiptarë, me të cilët ka lozur futboll («tepër keq») dhe ka pirë birrën e parë, ai lufton për barazi sociale. Cédric Wermuth është një rebel i politikës zvicerane. Në historinë e re të Zvicrës ai mbahet në mend edhe për këtë gjest: në një mbledhje të partisë është ngjitur në podium dhe e ka ndezur një cigare. Një nga ato me bar.

Para se të debatonte me kolegun e tij zviceran, Kurti foli mbi gjendjen në Kosovë, për të cilën ka folur shpesh viteve të fundit. Ajo gjendje mbetet e rëndë, në shumë sfera e pashpresë si pasojë e qeverisjes së keqe, grabitqare. Diaspora, tha Kurti, nuk ka ardhur në Zvicër nga qejfi apo dëshira për luks, jo, ajo është përndjekur nga Serbia, ajo ka ardhur këtu si pasojë e shtypjes. Do të kujdesemi, shtoi Kurti, që ky fakt të bëhet pjesë e kujtesës institucionale. Kurti vazhdoi me këto fjalë: “Diaspora është jashtë atdheut, por brenda kombit. Shumë njerëz të mençur kemi jashtë. Shumë studentë të mirë kemi jashtë. Ka mbi 30 mijë biznese shqiptare në Gjermani. Të gjithë ata që duan të investojnë në Kosovë, këtë nuk e bëjnë për shkak se duan të fitojnë, por për shkak se duan të kthehen. Për t’u kthyer ata kërkojnë dy gjëra: kushte dhe siguri”. Me humor ai shtoi: “I kemi ndarë punët. Ju punoni, ne pushojmë”.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës premtoi jo vetëm siguri për të gjithë biznesmenët e diasporës që planifikojnë të investojnë në Kosovë, por edhe një lehtësim të mundësive për të votuar:

“Kjo është hera e fundit që nuk keni të drejtë të votoni. Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, mërgata do të mund të votojë në çdo ambasadë e konsullatë të Kosovës”.

 Kurti akuzoi kryetarin e deritanishëm të Kuvendit të Kosovës për bllokimin e ndryshimit të ligjit që do të mundësonte votimin në përfaqësi diplomatike. “E dinë ata përse nuk lejojnë kuti të votimit nëpër ambasada. E dinë ata se çka do të ketë në ato kuti”, tha Kurti.

 Sidoqoftë, dhjetëra djem e vajza, të gjithë simpatizantë të VV-së, këto ditë po angazhohen vullnetarisht për t’iu ndihmuar bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë. Vetëm të shtunën, sipas organizatorëve të tubimit, u regjistruan qindra persona. Ekziston edhe një mundësi tjetër për të marrë pjesë në zgjedhje: fluturimi në Kosovë më 5 apo 6 tetor. Për sall 250 franga. Afishe me këtë ofertë qëndronin të ngjitura në shumë pjesë të sallës ku u mbajt tubimi me Kurtin dhe Wermuth në Aarau. Fjalia qendrore e mbrëmjes – e thënë nga Albin Kurti – ishte mbase kjo: “Kosova nuk e mbijeton edhe një qeveri të kriminalizuar, na ndihmoni ta çlirojmë vendin. Ejani votoni. Ejani si për dasmë të djalit apo vajzës”.

Në fjalën e tij Cédric Wermuth përkujtoi se jo përherë Zvicra ka qenë një demokraci e mirëfilltë. Në vitin 1946 qytetarët e angazhuar ndërmorën iniciativën për kthim te demokracia e drejtpërdrejtë. Më 11 shtator 1949 u mbajt referendumi dhe 50,7 për qind e pjesëmarrësve kërkuan kthimin te demokracia e drejtpërdrejtë. Kështu qeverisë iu morën kompetencat për të sunduar pa i dhënë shansin popullit të thotë mendimin e vet. Wermuth apeloi që edhe shqiptarët të angazhohen sa më shumë në jetën publike të Zvicrës, sepse «ju jeni pjesë e identitetit të Zvicrës, faleminderit që e keni bërë Zvicrën më shumëngjyrëshe dhe më të mirë, jo vetëm në futboll. Dhe: ju kërkoj falje që ky shtet jo përherë nuk ju ka trajtuar si duhet».

Pastaj Kurti dhe Wermuth zhvilluan një debat, ku pak a shumë përsëritën ato që thanë edhe në fjalimet e tyre. Kur moderatorja e debatit e shpalli të mbyllur tubimin, populli i Vetëvendosjes, por edhe kureshtarë të tjerë u vërsulën drejt Albin Kurtit. Secili dëshironte një “selfie” me Albin Kurtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat