Zgjedhjet e tetorit, anketa e Kosovapress: Prin Vetëvendosje, LDK e treta - Bota Sot
Zgjedhjet e tetorit, anketa e Kosovapress: Prin Vetëvendosje, LDK e treta

Aktuale

Zgjedhjet e tetorit, anketa e Kosovapress: Prin Vetëvendosje, LDK e treta

Më: 15 shtator 2019 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Ndërkohë që deri në hapje të fushatës zyrtare për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit kanë mbetur më pak se dhjetë ditë, partitë politike në vend tashmë kanë nisur aktivitetet e tyre me qytetarë për të shpalosur programet e tyre zgjedhore.

Fushata për zgjedhjet në nivel qendror fillon më 25 shtator dhe zgjat deri më 4 tetor, ndërsa të drejtë pjesëmarrje kanë 1.972.466 votues, të cilët do të vendosin për përbërjen e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (27 gusht – 6 shtator) kanë dorëzuar aplikim për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 25 subjekte politike, prej tyre janë 20 parti politike, 4 koalicione dhe një kandidat i pavarur.

21 parti politike, 4 koalicione parazgjedhore gjithsej janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të konkurruar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Në një anketë të Agjencisë së Pavarur të Lajmeve KosovaPress, e cila është hapur më datën 13 shtator dhe do të mbyllet më 20 shtator, me pyetjen se “kush do t’i fitojë zgjedhjet më 6 tetor”, prin Lëvizja Vetëvendosje me 44 për qind ose 4168 vota.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 39 për qind ose 3675 vota, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 1331 vota.

Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD ka 123 vota ose 1 për qind, koalicioni tjetër parazgjedhor Nisma-AKR-PD ka 54 vota ose 1 për qind.

Numri i qytetarëve të cilët ende nuk janë të përcaktuar se kujt do t’ia hedhin ‘kokrrën’ në zgjedhjet e 6 tetorit është 76 ose 1 për qind.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosja në zgjedhjet e tetorit garon për kryeministër me kryetarin e saj Albin Kurti, PDK ka kandidatin, kryetarin e saj Kadri Veseli, ish-kryetar i Kuvendit, LDK synon postin e kryeministrit me kandidaten Vjosa Osmani  dhe koalicioni AAK-PSD me kandidatin Ramush Haradinaj, që udhëhoqi qeverinë gjatë dy vjetëve të shkuara. Në garë do të ketë edhe parti të serbëve të Kosovës, ndërsa më e madhja në garë është Lista Serbe.

Zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës do të vëzhgohen nga Bashkimi Evropian, pas një kërkese që presidenti i Kosovës i ka bërë këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Ndryshe, dalja në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 qershorit 2017  ishte 779,729 votues ose 41.3% dhe fitues ishte koalicioni PAN (PDK, AAK, NISMA, të cilës iu bashkëngjit edhe AKR), derisa LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje ishin pjesë e opozitës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...