Osmani: Kurrë nuk do të ndodhë më që politikanët të kërkojnë hise nga bizneset

Aktuale

Osmani: Kurrë nuk do të ndodhë më që politikanët të kërkojnë hise nga bizneset

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 14:16
Vjosa Osmani

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se programi ekonomik në qeverisjen e ardhshme do të nisë në masë të madhe me politikat ekonomike aty ku është lënë në vitin 2017, pasi sipas saj, në atë qeverisje janë ndërmarrë politikat më të fuqishme ekonomike që ka njohur historia që nga viti 1999.

Duke shpalosur programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik në Konventën për zhvillim dhe punësim, Osmani tha se kjo parti është e pa konkurrencë në këtë drejtim me një ekip të jashtëzakonshëm.

Osmani: Do ta shndërroj Kosovën në destinacion të investimeve të huaja strategjike

“Disa nga elementet që përfshinë programi ynë ekonomik është se qeverisja e LDK-së do ta shndërrojë Kosovën në një destinacion të investimeve të huaja strategjike. Do të bëhet eliminimi i të gjitha monopoleve dhe privilegjeve të firmave, të cilat kanë lidhje me politikën, dhe ky do të jetë prioritet për të krijuar një mjedis konkurrues që ofron shanse, mundësi të barabarta për të gjithë. Rritja ekonomike do të gjenerohet nëpërmjet sektorit privat të cilin e konsiderojmë si motor të zhvillimit ekonomik në vendin tonë. Ëndrra e punësimit për të rinjtë nuk do të jetë më sektori publik, por sektori privat i zhvilluar dhe i qëndrueshëm”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova është shndërruar në një vend pesimist për qytetarët dhe bizneset që operojnë në vendin tonë me një korrupsion të lartë që ka ndikuar në rënie të investimeve të huaja dhe vend vendore.

Osmani: Kurrë nuk do të ndodhë më që politikanët të kërkojnë hise nga bizneset

“Nëpërmjet qeverisë të përgjegjshme dhe me duar të pastra ne synojmë që të kthejmë edhe besimin tek institucionet. Suksesi i firmave nuk do të përcaktohet nga lidhjet me qeveritarët, por nga kriteret e mirëfillta të tregut. Një herë e përgjithmonë lidhjet me qeverinë nuk do të jenë përcaktuese për profit të firmave siç po ndodh sot e aq më pak lidhjet me krimin. Kurrë nuk do të ndodhë më që politikanët të kërkojnë hise nga bizneset dhe investitorët potencial të huaj dhe vendor siç ka ndodhur tani”, theksoi Osmani.

Ajo premtoi se gjatë qeverisjes së saj, ndërmarrësit vendorë do të kenë statusin e merituar në shoqëri si kusht për të bërë kthesën e madhe për ngritjen e optimizmit për investime. Po ashtu, tha se do të krijohet edhe një fond investiv në vlerë 300 milionë euro  dhe se të rinjtë do të kenë mundësi që pas shkollimit të bëjnë punë praktike me pagesë.

Në këtë konventë të pranishëm ishin edhe ish-deputetët Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku dhe Hykmete Bajrami, si dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe shumë biznesmenë.

Ish-deputeti Hoti ka folur për shpenzimet e parasë publike dhe politikat fiskale, duke thënë se mbledhja e TVSH-së në atë ardhmen do të bëhet në brendi të vendit dhe se do të bëhet bashkimi i Doganës dhe ATK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat