Grave të kthyera nga Siria iu zbutet masa e sigurisë - Bota Sot
Grave të kthyera nga Siria iu zbutet masa e sigurisë

Aktuale

Grave të kthyera nga Siria iu zbutet masa e sigurisë

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 22:06
Gratë e kthyera nga Siria

Që nga muaji prill, nga Prokuroria Speciale është bërë e ditur se kanë kërkuar masën e arrestit shtëpiak për gratë e kthyera nga Siria.

Mirëpo, gjatë këtyre muajve, masat e sigurisë nuk kanë qenë të njëjta për të gjitha ato.

Avokatja Merita Bajraktari, thotë që klientja e saj është njoftuar këtë të premte për ndryshimin e masës së sigurisë, raporton ktv.

Klientja e Bajraktarit tash ka masën e paraqitjes në polici.

Ndërkaq, ajo nuk është e vetmja që i është ndërruar masa.

Edhe avokatja Sabrie Jashari, ka konfirmuar se edhe klientes së saj i është ndërruar masa nga arresti shtëpiak në lajmërim në polici.

Avokatja Donjeta Leka, ka treguar sa pas një muaji paraburgim, Prokuroria nuk ka bërë asnjë kërkesë për masë të sigurisë për klientin që ajo mbron, pasi që, sipas saj, e njëjta kishte shkuar në Siri kur ishte e mitur.

E ndërrimin e masave të sigurisë për 32 të kthyerat nga zona e konfliktit, e ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka marrë aktvendim dhe 24 të pandehurave ua ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për nga 2 muaj për secilën veç e veç. Për 4 të pandehura, është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, ndërsa për 4 të pandehura të tjera nuk ka pasur kërkesë për vazhdimin e ndonjë mase nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, pyetjeve lidhur me hetimin e të kthyerave nga Siria nuk u është përgjigjur Prokuroria Speciale.

Në anën tjetër, sipas një hulumtimi që ka bërë Instituti i Kosovës për Drejtësi, rastet e terrorizmit janë trajtuar më seriozisht nga Gjykatat.

Gjatë muajit gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet heqje lirie një nga të kthyerat nga Siria.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...