LDK e mbyll fushatën, Vjosa Osmani: Do t'i marrim përgjegjësitë për shpëtimin e Republikës

Aktuale

LDK e mbyll fushatën, Vjosa Osmani: Do t'i marrim përgjegjësitë për shpëtimin e Republikës

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 18:08
Tubimi përmbyllës i fushatës zgjedhore të LDK-së në Gjilan

(E plotësuar) - Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha të premten në Gjilan se LDK-ja do t'i marrë përgjegjësitë për shpëtimin e republikës dhe për ta kthyer shpresën tek ata që po kërkojnë shpëtim jashtë vendit.

“Sot  jam e lumtur të theksoj para jush se LDK-ja po ringritet fuqishëm, për t’i marrë përgjegjësitë për shpëtimin e republikës, projektit të saj nacional. Gjatë kësaj fushate ne e kemi parë rilindjen e jashtëzakonshme të frymës rugoviane, rilindjen e asaj fryme të pavdekshme, që sublimon vlerat më të larta kulturore dhe qytetare të vendit tonë”, tha Vjosa Osmani.

Ajo tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e cila i vuri themelet e jetës shumëpartiake në Kosovë, na ka mësuar se si duhet kultivuar fryma e mobilizimit për shpëtimin e vendit.

“Prijësi ynë historik na ka mësuar se si duhet të jemi këmbëngulës për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave tona të përbashkëta kulturore e etnike; filozofia e tij politike, këmbëngulja e tij për ta refuzuar secilën ideologji shtypëse dhe durimi i tij për ta parë të jetësuar projektin e tij për republikë të qytetarëve, na kanë udhëhequr në gjithë këtë proces”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani.

Sipas saj, këto ditë kanë qenë një dëshmi e papërshkrueshme e lidhjes së madhe shpirtërore që kanë qytetarët e Kosovës me LDK-në, prandaj fitorja në zgjedhje është në vullnet i të gjithë qytetarëve.

***

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se LDK në qeveri nuk do ta forcojë shtetin me taksë, por me hapje e bashkëpunim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në tubimin e mbylljes së fushatës zgjedhore, Isa Mustafa tha se LDK do të luftojë krimin e korrupsionin me njerëzit në Kosovë e jo me ata nga jashtë të cilët në vendet e tyre ndiqen nga organet e drejtësisë për krim e korrupsion.

Isa Mustafa tha se shteti nuk forcohet përmes izolimit. Sipas tij, LDK nuk merr vendime të mëdha por vendime të ligjshme.

Mustafa: LDK nuk do ta forcojë shtetin me taksë

“Në emër të juaj u drejtohet qytetarëve të Republikës dhe i garantoj që LDK do të luftojë për forcimin e shtetit dhe ne shtetin nuk do ta forcojmë përmes barrikadimit, as me taksë as me tarifë, por shteti ndo ta forcojmë përmes hapjes sonë ndaj BE-së dhe hapjes dhe bashkëpunimit tonë me shtetet e bashkuara, përmes angazhimit tonë të bëhemi pjesë e BE-së, të bëhemi anëtarë e NATO-së, të bëhemi pjesë aktive e institucioneve financiare, ndërkombëtare dhe shfrytëzimit të tyre për të mirën e Kosovës, de jo të izolohemi sepse përmes izolimit nuk e forcojmë por e dobësojmë shtetin tonë”, tha Mustafa.

Në Gjilan, kreu i LDK-së premtoi se do të punojnë për luftimin e korrupsionit e krimit në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare por me besim në policët, gjyqtarët e prokurorët vendorë.

Mustafa: Nuk do ta luftojmë korrupsionin me njerëz nga jashtë

“Nuk do ta luftojmë krimin e korrupsionin me njerëz nga jashtë të cilët në vendet e tyre ndiqen për krim e korrupsion e evazion fiskal, njerëzit e tillë nuk i ndihmojnë Kosovës, ata e zhvatin Kosovën, ne do ta luftojmë këtë të zezë të Kosovës me besim me njerëzit tanë, me ushtarë të këtij vendi që luftojnë për të Kosovës e jo me mercenarë paguhen që vinë sa për të marrë pagesa në Kosovë dhe nuk ia lënë as një të mirë të Kosovës”, tha ai.

Mustafa tha se do ta zhvillojnë dialogun me Serbinë, në krye të së cilit tha se do të jetë Vjosa Osmani kryeministër, por që nuk do të japin tokë të Kosovës as të ndryshojnë kushtetutën për punë të dialogut.

Nga Gjilani, edhe njëherë ai i tha kandidates për kryeministër, Vjosa Osmanit, se e ka përkrahjen e plotë partisë, meqë siç tha ai, të gjithë janë të bindur që ajo do të qeverisë Kosovën me ndërgjegje, vullnet e përkushtim.

E Vjosa Osmani, e cila synon të jetë shef qeveri nga zgjedhjet e 6 tetorit, tha se Kosova e ka pohuar fuqishëm që ka vendosur të lidhë sërish fatin e  vet me LDK-në

Osmani: Nga e hëna do të u shpërbejë qytetarëve të Kosovës

“Programi ynë Beso, nuk është vetëm program i yni ai është program i juaji sepse buron nga zërat tuaj deri tani të padëgjuar, buron nga zërat e padëgjuar të nënave e njerëzve tjerë në spitalet tona . Programi ynë buron nga zërat e nxënësve që sot nuk marri ndije në shkollë, buron nga zërat e padëgjuar të punëtorëve të ndershëm  që mezi e kalojnë muajin, buron nga zërat e padëgjuar të të moshuarve tanë që sot shteti që ata vet e ndërtuan me vetëmohim u jep vetëm lëmoshë. Ky program që nga e hëna do të bëhet udhërrëfyes i pandryshueshëm i yni, sepse ka vetme një qëllim që Kosovën tonë të dashur ta bëjmë të jetueshme e me prosperitet. Dhe ketë jetueshmërinë në vendin tim nga e hëna do ta kem obligim jetësor. Prandaj puna ime të dashur qytetarë është që juve të u shpërbejë, të ja kthejnë shtetin qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo tha se milionat e miliardat e projekteve të asfaltit e projekteve korruptive të deritanishme të ja kthejë menjëherë arsimit dhe shëndetësisë.

***

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka marrë pjesë në tubimin përmbyllës së fushatës së LDK’së në Gjilan.

Mustafa në fjalimin e tij ku kërkoi votën për kandidaten e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka folur për ish-ushtruesin e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në SHBa, Matthew Whittaker, i cili ditë më parë mori pjesë në një tubim të PDK’së në Gjilan.

Kreu i LDK’së ka thënë se nuk iu duhen njerëz që vinë nga jashtë me pagesa në Kosovë, ndërsa kanë probleme ligjore në shtetet e tyre.

Image

“Neve nuk na duhen njerëz që përndiqen në vendet e tyre për evazion fiskal e mashtrim. Njerëzit e tillë nuk i nmdihmojnë Kosovën, ata e zhvatin Kosovën. Ne do ta luftojmë me ushtarë të këtij vendi, e jo me mercenarë që vinë në Kosovë për të marrë para”, ka  thënë Mustafa.

Ndryshe, mediat e huaja kishin raportuar se Whittaker, që qëndroi ditë më parë në Kosovë, është nën hetime të FBI nën dyshimet se ka qenë pjesë e një kompanie që ka mashtruar veteranët ushtarakë amerikanë.

Haziri: Ata që përdorën plumba, s’mund të na ndalin me video të montuara

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se ata që kanë përdorur plumba për ta ndalë LDK-në, nuk mund ta ndalin tani me video të montuara.

Ai kështu ka thënë gjatë një tubimi elektoral në Gjilan, duke shtuar se anëtarët e këtij subjekti politik nuk mund të frikësohen me lajmë të rrejshme.

“Sot e tërë Kosova është çuar në këmbë për ta kthyer LDK-në në krye të shtetit. Këtij besimi dhe këtyre njerëzve me prezencë sot, dhe me mijëra të tjerë që kanë mbetur jashtë kësaj salle, ne u bindemi dhe besojmë thellë në kryeministren Vjosa Osmani”.

Image

“Pa LDK-në, kjo Kosovë nuk ka dritë. Pa LDK-në, nuk ka as shpresë. E vërteta jemi ne sepse ne gjithmonë kemi besuar në familje dhe në këta njerëz që kanë sakrifikuar për këtë vend”.

“Ne besojmë në shtet sepse ligji dhe Kushtetuta janë udhërrëfyesi ynë. Të dyja palët e kanë humbur besimin sepse nga ky vend dhe nga kjo sallë u munduan që mysafirët e tyre t’i paraqesin si mbështetës të tyre”.

“Ata sollën njerëz nga Amerika duke u munduar që t’ju mashtrojnë juve. Kosova gjithmonë ka besuar në të vërtetën. Ata që sot po mundohen LDK-në ta mbajnë në zemër, ata që po mundohen ta mbajnë në shpirt – janë bërë bashkë që t’ia japin Kosovës dritën, shpresën dhe besën”.

“LDK do të fitojë bindshëm. LDK do të jetë parti e kthesës së madhe; as që diskutohet fitorja e madhe e LDK-së. Sikur që i kemi mundur në Gjilan e Podujevë – ata nuk mund të na bëjnë konkurrencë sepse Vjosa Osmani është e gjithë neve dhe është ajo që po e bartë këtë proces të madh”.

“Le ta dinë mirë që Rugovasit nuk kanë frikë, veprimtari i saj asnjëherë nuk është frikësuar. Nuk mund ta në frikësoni me lajme të rreme”.

“Ju që përdorët plumba për të na ndalë, ju nuk mund të na ndalni me video të montuara. Ne nuk ndalemi kurrë, derisa ju ta merrni përgjigjen e merituar me 6 tetor”.

“Flamuri i Kosovës dhe LDK-ja do ta marrin udhëheqjen për t’ju siguruar se njerëzit e hijeve do të jenë historia dhe ëndrra e keqe e Kosovës”. Jemi bashkuar për ta larguar të keqen nga vendi Jonë”.

Vjosa Osmani ashtu si e nisi edhe e mbyll fushatën - bashkë me bijat e saj

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka shkuar në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Gjilan bashkë me dy bijat e saj.

Image

Osmani i kishte marrë dy vajzat e saj binjake edhe në nisjen e fushatës elektorale në Prishtinë.

Vajzat e Vjosa Osmanit edhe në Gjilan – ashtu si edhe në Prishtinë – mbanin në duar dy flamuj të Kosovës.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës mban tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat