KMDLNj për Trajkoviqin: Deklaratat e saj janë qëllimkeqe, nëse ka fakte le t’i dërgojë në organet e drejtësisë

Aktuale

KMDLNj për Trajkoviqin: Deklaratat e saj janë qëllimkeqe, nëse ka fakte le t’i dërgojë në organet e drejtësisë

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 12:54
Rada Trajkoviq

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj deklaratave të ish-deputetes Rada Trajkoviq e cila ka thënë se jeta e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit mund të jetë në rrezik.

KLMDLNj përmes një komunikatë thotë se deklarata e Trajkoviqit po shfaq shqetësim të madh dhe është qëllimkeqe.

“Realisht, po të deklaronte se Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit iu rrezikohet jeta nga Serbia dhe ekstremistët serbë që edhe e vranë Oliver Ivanoviqin do të duhej të merrej si lajm qëllim-mirë shkaku se mund të ketë informata nga Serbia. Mirëpo, këtë “ rrezik “ për jetët e Albinit dhe Vjosës , Rada Trajkoviq e adreson te krahu i luftës i cili, sipas zonjës Trajkoviq i paska humbur zgjedhjet dhe për këtë arsye mund të rrezikojnë jetët e dy kryeministrave të mundshëm të Kosovës. Po në të njëjtën kohë, zyrtarë të Listes Serbe publikisht janë deklaruar se qenkan shumë të shqetësuar me Albin Kurtin shkaku se Albini e paska hidhëruar Aleksandar Vuçiqin të cilin e konsiderojnë udhëheqës të tyre. Sipas KMDLNj –së, deklarata e zonjës Trajkoviq është deklaratë qëllimkeqe , përçarëse, pa u mbështetur në asnjë fakt të vetëm por se bartë një porosi të rrezikshme për nxitjen e konfliktit midis fituesve të zgjedhjeve ( LVV dhe LDK ) dhe atyre që pësuan në zgjedhje ( PDK dhe AAK-ë )”, thuhet në reagim.

KMDLNj’ja thotë se nëse Trajkoviq ka fakte që mbështesin dyshimin se rrëzikohet jeta e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, atëherë adresa ku ajo duhet të drejtohet është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

“Nëse Rada Trajkoviq ka fakte që e mbështetin dyshimin dhe “ shqetësimin“ e saj për rrezikim të jetës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, atëherë adresë ku duhet të drejtohet është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Në rastin konkret, KMDLNj mendon se Prokuroria e Shtetit duhet ta thërrasë për dëgjim zonjën Trajkoviq pas së cilës do të fillonte hetimet, ose ndaj atyre që sipas Rada Tarjkoviqit po e rezikuakan jetën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ose ndaj Rada Trajkoviqit”, theksohet në reagimin e KMDLNj’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat