Në rreshtin makinave të Policisë së Kosovës të cilat ishin nisur sot për në veri të Republikës së Kosovës për një aksion bastisje e arrestimi lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është parë edhe një kamion i Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Media ka raportuar lidhur me këtë, ndërkohë ka kërkuar përgjigje zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, nëse FSK’ja ka qenë pjesëmarrëse në aksionin e sotëm në veri të Mitrovicës bashkë me policinë e shtetit.
Në përgjigjen e marrë nga Zyra për Media e kësaj ministrisë, thuhet se FSK’ja nuk ka pasur angazhime në aksionin e sotëm në veri të Mitrovicës.
“Nuk ka pasur angazhime të FSK-së në veri të Mitrovicës në aksionin e Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e dhënë.
Ndërkohë sot gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri është arrestuar një hetues policor, pasi që Prokuroria ka siguruar fakte se i njëjti ka vepruar nën direktivat e grupit kriminal të Milan Radojicicit.
Në kërkim është edhe një zyrtar tjetër policorë, ndërkohë i arrestuari i dytë gjatë aksionit të sotëm është liruar.