Cakaj e quan të palogjikshme deklaratën e Haradinajt se punoi kundër Kosovës - Bota Sot
Cakaj e quan të palogjikshme deklaratën e Haradinajt se punoi kundër Kosovës

Aktuale

Cakaj e quan të palogjikshme deklaratën e Haradinajt se punoi kundër Kosovës

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 21:24
Gent Cakaj

Të palogjikshme dhe me kundërthënie e ka cilësuar Gent Cakaj, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, deklaratën e kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, që tha se Cakaj ka punuar kundër Kosovës dhe ka punuar në mënyrë aktive për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.

Cakaj ka thënë se s’ka punuar kurrë për një gjë të tillë dhe është i gatshëm të japë përgjegjësi nëse publikohet diçka që tregon se ai ka punuar për ndarjen e Kosovës.

“Deklarata e kryeministrit, nëse unë e kam lexuar me saktësi, nëse ishte e raportuar saktësisht, thuhet se Cakaj ka tetë muaj që nuk e mbështet më këtë ide, por se në fillim ishte entuziast. Unë që tetë muaj kam marrë detyrën në tërësi. Që nënkupton është deklaratë me pakoherencë logjike e kundërthënie të brendshme. Deklaratë që për 30 sekonda ka pakoherencë logjike s’ia vlen të komentohet. E palogjikshme dhe e pavërtetë. Për shkak të edukatës s’po lëshohem në deklarata tjera”, ka thënë ai.

“Sa i përket ndarjes, që nga dita e parë e punës e deri sot as s’e kam mbështetur këtë ide e as s’ka një diplomat në minutat e takimit ku mund të gjendet mbështetje e kësaj ideje, nëse ka le të zbulohet dhe do të jap përgjegjësi. S’e kam mbështetur këtë ide, as aktivisht as pasivisht. S’ka diplomat ndërkombëtar që ka hyrë në zyrën time për të kërkuar mbështetje për një gjë të tillë, për ndarje apo dëmtim territorial të Kosovës. Asnjëherë. Është spekuluar shumë dhe kam heshtur qëllimisht sepse kam konsideruar se është jodinjitoze të merrem me fantazitë më të shfrenuara të njerëzve”, ka thënë ai duke shtuar se nëse Shqipëria do të donte diçka të tillë “s’do të zgjidhte një 28-vjeçar si unë pa ndikim në dialog e pa kontroll në struktura”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat